Prej dy ditësh, Kosova po pret e po përcjell përfaqësues të spektrit politik shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa sot ka behur aty edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.
Një ditë më parë, Basha takoi gjithë spektrin politik në Kosovë, ndërsa sot pati një komunikim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ndërsa Balla në anën tjetër u takua me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Gjatë takimit me Ahmetin, Basha tha se angazhimi i parë i kësaj vizite është që bashkërendimi midis Prishtinës dhe Tiranës të jetë i plotë, i sinqertë dhe në mbështetje të institucioneve të Kosovës.
“Shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana është të qëndrojë larg protagonizmit të pavend dhe iniciativave të pa konsultuara, të cilat kanë sjellë dëme, që duhen rikuperuar”, u shpreh Basha. Kryetari i PD-së nënvizoi se, “ecja përpara e dialogut, me qëllim njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë shërbehen më mirë nga një bashkëpunim i ngushtë midis dy partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE”.
“Drejtësia nuk mund të ketë dy kute. Boll më me një peshore, që anon nga ana e akuzave ndaj viktimës, ndërkohë që krimet çnjerëzore të ndodhura në territorin e Kosovës mbeten pa autor. Uroj që drejtësia ndërkombëtare do të vendosë peshoren baraspeshë”, tha ai. Po sot, Basha zhvilloi takim edhe me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Paralelisht me vizitën e Bashës, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës përcolli një njoftim zyrtar për takimin.
“…Kryeministri Hoti foli për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë në menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe në përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike.
Duke e vlerësuar rolin e diplomacisë shqiptare për Kosovën, kryeministri Hoti e falënderoi kryetarin Balla sidomos për kontributin e deputetëve të Shqipërisë në Parlamentin Evropian”, thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë së Kosovës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje