Pothuajse në të njëjtin orar dhe disa qinda metra distancë nga njëri-tjetri, Edi Rama dhe Lulzim Basha do të hapin edhe zyrtarisht garën drejt 25 prillit.
Hapja e fushatës përkon me heqjen e kufizimit të grumbullimit të jo më shumë se 10 personave në ambiente të mbyllura dhe të hapura. Kjo datë u përcaktua nga Ministria e Shëndetësisë si fundi i këtij kufizimi pas detyrimit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për të përcaktuar afate në aktin normativ të 17 nëntorit të vitit të kaluar.
Megjithatë, të dyja palët pritet që ta hapin fushatën duke prezantuar vetëm kandidatët. Partia Demokratike do të mbledhë 222 emrat që u propozon shqiptarëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit në sheshin “Nënë Tereza” në orën 17:00.
Zyrtarisht hapja do të jetë pa praninë e qytetarëve, për të shmangur shndërrimin e ceremonisë në një miting. Veç Bashës, pritet që fjalën ta marrin edhe drejtuesit politikë të qarqeve dhe figura të tjera qendrore të opozitës. Fjalimet do të përqëndrohen tek shpalosja e ofertës së opozitës dhe shmangia e retorikës së ashpër me socialistët.
Një orë më vonë dhe rreth një kilometër më në veri, Edi Rama do të mbajë ceremoninë e hapjes së fushatës në kërkim të mandatit të tretë. Zyrtarisht mbi formatin që do të ndiqet nuk ka ende një njoftim, por pritet që ashtu si Basha edhe Kryeministri të mbledhë vetëm kandidatët për deputetë në të 12 qarqet e vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje