Në 22 Maj 1992 Shqipëria nënshkroi për herë të parë Marrëveshjen për Marrëdhënie me Komunitetin Europian (sot Bashkimi Europian). Ishte fillimi zyrtar i dialogut me Brukselin dhe prej atëherë proçesi i negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së është karakterizuar me ulje- ngritje dhe shpesh me marrëdhënie të vështira.
Por, ata që nuk thyen “rutinën” negociuese shumëvjeçare ishin protagonistët në krye të diplomacisë. Që nga Tritan Shehu, Paskal Milo, Arta Dade, Kastriot Islami apo Besnik Mustafaj, Lulzim Basha e Ditmir Bushati e deri tek përfshirja në proçes i ministrave të Integrimit si Marko Bello, Sokol Nako, Ermelinda Meksi, Arenca Trashani dhe Majlinda Bregu…
… Dje, në Ditën e Europës, Rama bëri publik personin që do të drejtojë ekipin shqiptar në këto negociata. Ndryshe nga tradita, nuk ishte Gent Cakaj. “Është momenti për ta thënë emrin e kryenegociatorit, një personalitet pa të sharë, edhe pse nuk ka ngurruar që të kritikojë edhe qeverinë tonë. Kjo është një arsye më shumë për ta përfshirë në këtë proçes, ambasadori Zef Mazi. Ai do të jetë kryenegociatori”, tha Rama.

Mazi e ka kundërshtuar disa herë këtë qeveri. Mjafton të përmendim vetëm një rast, sepse ka jo pak rëndësi për proçesin në vijim.
“…Kryeministri Edi Rama caktoi për ministër të jashtëm një djalë të ri të moshës 28 vjeçare dhe nga Prishtina, pas shtatë muajsh angazhimi në ministrinë e jashtme si zv.ministër. Këto orë për të po thuhet se paska njohuri të admirueshme, pavarësisht nga mosha. Kjo tregon në fakt metrin e gjykimit dhe standartin e vlerësimit të të emëruarve në shtetin e sotëm shqiptar. Del e qartë kësisoj sesi u bëkan vlerësimet dhe si arrihet në konkluzione mbi karrierat dhe nivelin profesional të të emëruarve, që të habisin për mendjelehtësinë që bartin!…”, shkruante Zef Mazi, janarin e një viti më parë, atëherë kur Ilir Meta nuk pranoi të firmoste për emrin e Genti Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm…
“Eshtë shumë zor sot të gjesh një vend që të ketë për ministër të jashtëm një djalosh kaq të ri dhe pa përvojë, ose me përvojë mjerisht minimale…”
Sot diplomatit në karrierë, Zef Mazi do t’i duhet të punojë bash me “djaloshin” 28 vjeçar për të çuar më tej proçesin e negociatave të Shqipërisë, që ka hyrë në një fazë të rëndësishme.
…..Për Gent Cakaj rreth një vit më parë, Rama vuri në lojë gjithçka. Cakaj ishte emri për të cilin Rama inicoi proçedurën e shkarkimit për Ilir Metën ndërsa nuk hezitoi ta shpërfaqte Cakajn si “ylli” në ngritje.
“Gent Cakaj ka lexuar libra më shumë se ju të gjithë keni thënë fjalë në jetën tuaj…”, do t’i drejtohej Rama medias në një konferencë për shtyp teksa mbronte me fantizëm emërimin e tij…
…Por a i mjaftoi Ramës që “lexonjësi” Cakaj të delegohej në detyra të rëndësishme, siç është detyra e kryenegociatorit apo bashkërendimi i punës me marrjen nga Shqipëria të Presidencës së OSBE-së? Sa duket, jo.
Edi Rama nuk delegoi Cakajn, por ish-ministrin e jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, si të dërguar të posaçëm për OSBE-në. Ai do të përcjellë qëndrimet e drejtuesit të organizatës si dhe do të reflektojë qëndrimet e Shqipërisë në çdo takim ku Rama nuk do të jetë i pranishëm.
Kjo ishte shmangia e parë e Cakajt, dhe e dyta ajo e djeshmja, të cilit mbi të gjitha i mungon edhe firma pasi është vetëm ministër në detyrë.
Genti Cakaj deri më tani mbahet mend më shumë për protagonistin në disa konferenca për shtyp për nepotizmin e paraardhësit apo si radhitës numrash se sa targa, shoferë apo pasaporta diplomatike janë hequr.
Edhe këto raste, kur Ramës ia donte mideja që të tërhiqte vëmendjen nga ndonjë zhvillim i caktuar politik…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje