Politike

Rama e emëroi zv-ministër, PD nxjerr dokumentin: Besart Kadia nuk është i yni

Lajmi i emërimit i Besart Kadisë në postin e zv-Ministrit të Ekonomisë dhe Financave ishte i papritur jo për faktin se ku punon sot Kadia, por për një histori jo fort të largët politike që kishte me PD-në.

Besart Kadia ishte një nga 24 koordinatorët që Lulzim Basha prezantoi në vitin 2014 si pjesë e stafit të tij këshillues.

Më pas anëtar i Këshillit Kombëtar dhe Sekretar për Sipërmarrjen e Lirë në PD.

Kadia i kishte këto funksione deri një vit më parë dhe për shumëkënd që e njeh PD-në, Kadia nuk ishte më pjesë e kësaj force politike.

Por PD-ja ka nxituar të mërkurën në mbrëmje që të shpërndajë për mediat një dokument të Lulzim Bashës të një viti më parë, për të treguar publikisht se Kadia nuk bën pjesë më në PD. Kjo edhe për shumë aludime që mund të lindnin për disa pakte të fshehta mes Bashës dhe Ramës, duke filluar me disa emërime konkrete.

Në dokumentin e bërë publik thuhet se Basha e ka shkarkuar Kadinë një vit më parë, pasi ishte nismëtar i krijimit të lëvizjes politike “Alternativa” që mbështetej nga disa klientë preferenciale të qeverisë.

Që nga data 5 nëntor 2019, Kadia nuk ka asnjë funksion në PD me firme të Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë