Politike

Rama-Vuçiç: Ballkani i Hapur nuk ngre as Serbinë, as Shqipërinë e Madhe

Procesi i Berlinit po përdoret si alibi për të kundërshtuar nismën e Ballkanit të Hapur, por në fakt, sipas Kryeministrit Edi Rama, vetë Procesi i Berlinit nuk mund të realizohet pa Ballkanin e Hapur.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev, Kryeministri Edi Rama tha se Ballkani i Hapur gëzon mbështetjen e Komisionit Europian, të SHBA dhe mbështetja po zgjerohet mes vendeve anëtare të BE.

“Komisioni Europian e mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur dhe fton të trija vendet e tjera t’i bashkohen dhe komisioneri nënvizoi me keqardhje dështimin e tregut të përbashkët si një proces u ndërtua bazuar te konsensusi. Arsyeja se përse ndërmarrim këtë nismë është për të krijuar mundësinë për pjesëmarrësit që të zgjedhin vetë shpejtësinë me të cilën duan të ecin. Ne duam të ecim sa më shpejt që të jetë e mundur. Ecja e shpejtë mund të realizohet vetëm nëse e marrim vetë në dorë fatin tonë këtu në rajonin tonë”, tha Rama.

Kryeministri foli në përfundim të samitit të radhës të Ballkanit të Hapur, që u mbajt këtë herë në Tiranë. Rama tha se nisma po kalon nga pjesa teorike në atë praktike me ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kjo, sipas tij, është arsyeja se përse po gjen mbështetje.

“Nisma po merr formë me impakt të drejtpërdrejt te jeta e qytetarëve dhe mbështetja e SHBA, Komisionit dhe një sërë vendesh të BE vjen dhe rritet si pasojë e faktit që nisma është shumë e qartë, ta bëjmë rajonin një hapësirë ku funksionojnë për qytetarët katër liritë e BE”, u shpreh ai.

Në fund të muajit shkurt, tre udhëheqësit kanë vendosur që të takohen në Maqedoninë e Veriut, ku agjenda paraprake synon heqjen e barrierave tarifore në dogana.

“Për të vazhduar ta çojmë përpara këtë proces dhe pas heqjes së barrierave jotarifore për eksportuesit dhe importuesit brenda për brenda hapësirës së vendeve, të adresojmë drejtpërdrejt heqjen e barrierave tarifore. Qëllimi është që Ballkani të mos ketë kufij për askënd që do të lëvizë lirë, mallrat, kapitalet dhe shërbimet”, tha ai.

Edhe Vuçiç iu përgjigj kundërshtarëve të nismës në Beograd, Shkup e Tiranë.

“Këtu nuk bëhet fjalë as për Serbi, as për Shqipëri dhe as për Maqedoni të madhe. Të mos humbasim kohë duke folur për të shkuarën, duhet të përqëndrohemi te e ardhmja. Të diskutojmë për të. Këto që kemi bërë për fermerët dhe prodhuesit tanë dhe lehtësojmë jetesën e qytetarëve tanë. Do të shohim më shumë turistë Serbë në Shqipëri, apo më shumë turistë shqiptarë në Serbi. Kjo ka të bëjë me rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Duhet të vazhdojmë punën për heqjen e të gjitha barrierave që të mos ketë më kufi për njerëzit tanë, që të tërheqim më shumë investues të huaj”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë