“Shqipëria nuk do të qajë pas derës së Europës duke pritur që ajo të hapet”. Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama nisi një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, duke nënkuptuar se Shqipëria do të përqëndrohet tek reformat për të ardhmen e saj, në një kohë që Brukseli zgjidh problemet e brendshme.
AFP kujton se Rama shpresonte që negociatat e anëtarësimit do të hapeshin në tetor të vitit të kaluar, por Franca, Danimarka dhe Holanda e bllokuan këtë proces, edhe për Maqedoninë e Veriut.
“Jo”-ja franceze zemëroi shumë në Ballkan, por edhe brenda Bashkimit Europian, ku pjesa dërrmuese e vendeve anëtare kërkonin hapjen e negociatave si shpërblim për dy vendet për reformat domethënëse që kanë ndërmarrë. Tani, në Bruksel janë dyfishuar përpjekjet për të bërë bashkë të gjitha vendet anëtare të BE-së që të japin dritën jeshile për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në muajin maj.
Megjithatë, AFP thotë se Edi Rama nuk është duke mbajtur frymën. “Unë nuk pres asgjë”, deklaroi Rama në intervistën e realizuar në frëngjisht.
“Ne do të bëjmë gjërat që duhet të bëhen, pavarësisht vendimit të Brukselit. Vendi nuk mund të jetojë duke pritur me ankth diçka që nuk e kemi ne në dorë. Nuk do të qëndrojmë në derën e Europës dhe të qajmë. Nuk jemi në këtë rrugëtim se na e kanë kërkuar francezët, apo gjermanët, por sepse është e vetmja rrugë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen e vendit”, deklaroi Rama.
Në këtë intervistë, Kryeministri përsëriti bindjen e tij se refuzimi që iu bë Shqipërisë lidhet më fort me problemet e brendshme të vetë Bashkimit Europian. “Reformat e brendshme të BE-së janë larg kontrollit tonë, megjithatë është me rëndësi që Europa të ndryshojë. Europa po vuan dhe e qartë është që nuk po funksionon ashtu siç duhet”, shtoi ai.
“Shqipëria ka bërë më shumë se kushdo për hapjen e negociatave”, këmbënguli Rama në këtë intervistë, ndërsa agjencia franceze e lajmeve kujton se në progres-raportin e 2019, Komisioni bashkë me rekomandimin për hapjen e negociatave thekson edhe se korrupsioni mbizotëron në shumë fusha.
AFP thotë se për të luftuar këtë fenomen dhe krimin e organizuar Qeveria miratoi disa ndryshime ligjore dhe një ligj të ri.
Kryeministri ka folur edhe për situatën pas tërmetit të 26 nëntorit, përpjekjet e Qeverisë për rindërtimin dhe konferencën e donatorëve që do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel, ku Rama shpreson që të grumbullohen fonde të qënësishme që do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje