Nga takimi me fermerët në Fier, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ka angazhuar deputetët që të punojnë me Ministrinë e Financave për të vënë normë ligjore për ata që nuk punojnë tokën, por e lënë djerrë.
Me arsyetimin se toka sa i përket pronarit, aq është edhe pasuri publike, Rama u shpreh se nuk mund të pranojnë që të mbetet e pa punuar.
“Sot kemi ende toka të papunuara, por s’duhet të falim asnjë metër katror tokë bujqësore. Ndaj i kam kërkuar deputetëve të ulen bashkë me ju e të punojnë me Ministrinë e Financave për të vënë një normë ligjore që kush nuk e punon tokën, nuk mund ta lërë djerrë dhe të rrijë rehat e të thojë s’ta jap me qera, s’ia jap kujt ta punojë se dua ta rrethoj ta mbaj me plehra. Këtë se lejon asnjë vend se toka aq sa është e jotja private, aq është dhe pasuri publike. S’mund të lihet toka bujqësore me plehra, djerrë. Kemi nevojë edhe për sistem të ri tregjesh”, tha Rama.
Në fjalimin e tij, Rama shtoi se qeveria synon 500 mln eksporte, ndërsa theksoi se bujqësia dhe fshati në Shqipëri ka të ardhme.
“Në TV dalin vetëm produktet që hidhen dhe jo të atyre që eksportohen. Po synojmë 500 mln euro eksporte. Po synojmë të arrijmë këtë vit gjysmë miliardin për eksportet, eksporte frutash dhe perimesh. Që kur morëm detyrën, toka që punohet është dyfishuar. Fshati shqiptar ka të ardhme. Krejt e kundërta e asaj që predikohet. Thonë se në fshat po vdesin për bukë, por realiteti është krejt ndryshe. Këtu fitohet më shumë sasa të punosh jashtë, te toka e babait fitohet më shumë”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje