Politike

Rama fton Bashën: Të takohemi online! PD: Ftesë false për të fshehur dështimin

Në daljen ku prezantoi kategoritë e reja që përfshihen në zgjerimin e paketës financiare në kuadër luftës kundër koronavirusit, Rama ftoi opozitën që të bashkojnë forcat me ekspertë shëndetësorë dhe ekonomistë përballë së keqes.

“Opozita e ka humbur mundësinë për të na ardhur në ndihmë, për të garantuar shëndetin e njerëzve dhe për të bashkuar rezistencën ekonomike. Ia kam kërkuar Bashës, të bashkojë forcat me mua dhe ekspertët, qoftë për të fituar ku është vija e zjarrit dhe për të rezistuar ekonomikisht”, tha ai.

Rama akuzon opozitën se nuk ka ulur armët e luftës, as në emër të jetës së qytetarëve dhe as në emër të atdheut. Megjithatë, përsëriti thirrjen se asnjëherë nuk është vonë për ta bërë këtë.

Kurrë nuk është vonë, thirrja ime është le t’i bashkojmë forcat dhe t’i ballafaqojmë në distancë sociale, por sy më sy në takime online! Le t’i flasim popullit në një zë për të mbrojtur çdo jetë shqiptari, që nga Shkodra deri në Vlorë. Le të bëhemi bashkë e të dalim faqebardhë nga ky takim. Uroj që nga ky apel i sinqertë të mos bjerë në vesh të sa kemi kaluar mesin e tunelit”, deklaroi Rama.

Ftesa nuk ra në vesh të shurdhër. Përgjigjen, Kryeministri e mori nga Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi, i cili e interpreton ftesën si kurth që Rama të fshihet pas opozitës për dështimin e tij.

“Edi Rama kërkon të fshihet pas thirrjeve false për bashkëpunim me opozitën për të mbuluar dështimin e tij. Ai ka refuzuar që në fillim bashkëpunimin dhe ndihmën konstruktive të opozitës. Madje ka harxhuar energji dhe orë të tëra duke sulmuar opozitën me batuta ordinere dhe bajate, në vend që të fokusohet tek emergjenca. Ftesat janë false dhe bëhen vetëm për të mbuluar dështimin e tij, që këtë radhë është edhe më i madh dhe i dëmshëm se më parë”, deklaroi ai.

Vetë Lulzim Basha iu përgjigj kësaj ftese të Ramës me një kundërftesë.

“Nuk do të përfshihem në asnjë debat politik dhe do të shmang çdo retorikë, siç kam bërë deri më tani. I bëj thirrje Kryeministrit që të bëjë të njëjtën gjë dhe të shmangë anatemimet e përditshme ndaj opozitës dhe të përqëndrohet tek qytetarët”, tha ai.

Kreu i PD-së tha se ekspertët shëndetësorë, të ekonomisë dhe juridikë të opozitës janë të gatshëm që të japin kontributin e tyre. “Propozimet janë aty, janë publike”, tha Basha në një intervistë për Report TV.

Basha deklaroi se dy janë shqetësimet kryesore të opozitës. I pari lidhet me zbatimin e premtimeve për ndihmë financiare për qytetarët dhe biznesin dhe shqetësimi i dytë për mungesën e një strategjie për daljen nga kriza, ku kyçe thotë është rritja e numri të testimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë