Politike

Rama: Gati për një formulë rikthimi të PD në Parlament… nga e hëna

Kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm për gjetjen e një formule që do të rikthejë opozitën në Parlament. Por, kjo formulë sipas tij duhet të mbërrijë vetëm nga dialogu, që Rama thotë se është i gatshëm ta fillojë fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

“A do ketë apo jo dialog, apo një marrëveshje bashkëpunimi pas 30 qershorit, kjo varet nga ata. Unë jam i hapur për çdo dialog dhe marrëveshje bashkëpunimi. Jam gati të dialogoj dhe të ulem në tavolinë që të hënën për të gjetur një rrugë për rikthimin e opozitës në Parlament. Nuk kam asnjë lloj kushti, apo paragjykimi. Basha mund të vijë në tavolinë dhe të thote “Rama ik”, por ta thotë në tavolinë. Nëse shoh që PD ende nuk ka ardhur në vetë do i them hajde po iki…nga tavolina”, deklaroi Rama i ftuar në emisionin Real Story.

Rama shtoi se 30 qershori duhet t’i shërbejë Partisë Demokratike për reflektim dhe mendon se pas kësaj date, kjo forcë politike nuk do të marrë fund.

“Nuk do të zhduken si parti pas 30 qershori, të pakën jo PD, ajo do të jetë aty. Patjetër që do të dalë shumë rrënuar nga kjo histori, por duhet të reflektojë dhe riorganizohet, për t’u rikthyer si një alternativë e besueshme. E vetmja gjë që PD do të përballet pas 30 qershorit është me militantët, struktura dhe demokratët e saj. Jemi në kushte ku nuk kemi kundërshtarë kryesorë në garë dhe për këtë nuk mund të fajësohemi”, u shpreh ai.

A e bën mungesa e kundërshtarëve kryesorë në këtë garë gjithë procesin monist? Rama mendon se jo. Për të rrëzuar dekretet e Metës dhe argumentuar se 30 qershori është i ligjshëm, Kryeministri iu referua qëndrimit të ndërkombëtarëve.

“Këto nuk janë zgjedhje moniste pasi ka parti të tjera në garë. Përsa u takon dekreteve të Metës janë si të kohës së Haxhi Qamilit. Ato nuk janë dekrete janë një marrëzi dhe fakti që Shqipëria ka institucione sot kemi një 30 qershor që do dalim të votojmë. Nëse 30 qershori do të ishte i paligjshëm, nuk do të kishim një zë kaq të fuqishëm të SHBA dhe BE kundër opozitës dhe mbajtjes së zgjedhjeve në atë datë”, u shpreh ai.

Rama e cilësoi 30 qershorin si leksion demokracie dhe përcolli mesazhin drejtuar qytetarëve se nuk ka asgjë përse të tremben ditën e dielë. Sipas Ramës, plani i opozitës për të futur vendin në një krizë pa rrugëdalje dështoi. Për krizën e krijuar ai thotë se nuk është as faktor dhe as aktor.

Nisur nga përgjimet e Bild dhe fenomeni i shit-blerjes së votës, Rama tha se ky fenomen është më i përhapur tek partitë e vogla dhe jo tek PS e PD. “PS dhe PD nuk vjedhin vota, se nuk funksion. LSI dhe partitë e vogla janë tjetër gjë. Mund të ketë fenomene sporadike, tek PD apo PS, por janë të rralla. Shikoni sondazhet dhe do t’i shihni”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë