Kryeministri Edi Rama kërkon një arsye të qenësishme nga media se pse ai duhet të heqë dore nga ngritja e Agjencisë për Media dhe Informim.
Në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, Rama nuk u ndje komfort kur u pyet se gjashtë organizata ndërkombëtare për lirinë e medias i kanë kërkuar të tërhiqet nga ngritja e agjencisë për media dhe informim dhe i kanë kërkuar BE të mbajë një qëndrim.
“Mendoj se sot kemi diskutuar gjatë për lirinë e fjalës e të shprehurit në raport do gjeni dhe përgjigjen e pyetjes suaj që ka të bëjë me agjencinë për median dhe informimin.
Medias duhet t’i jepet akses në aktivitetet e qeverisë, institucionet në mënyrë të tillë që e lejon median të kryejë detyrat e saj”, reagoi shkurt Soreca.
Kryeministri Edi Rama u ndal më gjatë.
“A e dini ju të 6 organizatat çfarë është agjencia ? Modestisht mendoj se nuk e keni idenë për çfarë flisni kur ngrini këtë shqetësim.
Megjithatë jam i gatshëm që të 6 organizatat t’i pres personalisht, e të ulemi e si të dëshironi ju me kamerat tuaja pa kamerat tuaja me magnetofon, të flasim ju të pyesni ne tu japim llogari e në fund të kuptoni që kjo agjenci është e kundërta e asaj që thoni ju, komplet e kundërta, është një mekanizëm për të garantuar transparencën maksimale në raport me ju.
Për të garantuar që nëse ju hasni një problem me një institucion dhe pengoheni të merrni informacion zyrtar ju t’i drejtoheni këtij mekanizmi e të thoni po na pengon institucion filan e ky mekanizëm të vihet në dispozicion për ju.
Për të tjerat jam i gatshëm kur të doni kë të doni unë do vij pranë jush e do jap llogari se keni një keqkuptim kaq të madh sa është për të ardhur keq.
Përpara se të flisni shqip me qeverinë tuaj mbushni botën me alarme false për fantazma që janë në imagjinatën tuaj që nuk ekzistojnë.
Ju jap fjalën që nëse ju nga dialogu që do kemi do të arrini në përfundimin që kjo agjenci duhet hequr, unë do e heq, ju jap fjalën do e heq, por mbasi të sillni një fakt një provë një arsye që bën sens agjencia do shkrihet, ama në të kundërt ju mund të bëni ca të doni, por ju duhet tu shkruani gjithë këtyre njerëzve që i keni alarmuar që na falni por ishte alarm fals”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje