Politike

Rama i “dorëzohet” Rusisë, miratohet marrëveshja për blerjen e “Sputnik V”

Pas një periudhe thuajse 4-mujore, kryeministri Edi Rama i është “dorëzuar” Rusisë sa i takon miratimit të marrëveshjes për blerjen e vaksinave ruse “Sputnik V”.

Ai ka hequr dorë nga qëndrimet triumfaliste prej perëndimori dhe ka ulur “kokën” para vaksinave lindore, si në rastin e “Sinovac”-ut kinez.

Në fund të vitit të shkuar, shefi i qeverisë, tha se do të ndiqte linjën e Bashkimit Europian, ku Shqipëria priste sasi të mëdha vaksinash anti-Covid, gjë që rezultoi një dështim.

Rama e refuzoi me ironi ofertën e ambasadës ruse për të sjellë “Sputnik V” në Shqipëri. Por situata aktuale në shpërndarjen e dozave nga BE-ja, e ka bërë me sa duket Ramën të kthejë sytë nga Rusia dhe Kina. Ashtu siç kanë vepruar edhe disa vende të tjera europiane, përfshirë Gjermaninë.

Në fakt, marrëveshja e publikuar në fletoren zyrtare, është nënshkruar me datën 7 prill ndërmjet ‘Human Vaccine’ LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtim të Shqipërisë dhe Insitutit të Shëndetit Publik, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën kundër COVID-19 “Sputnik V”.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, vaksina ruse është zhvilluar nga Instituti Kombëtar i kërkimit “Gamaleya” për epidemiologjinë dhe mikrobiologjinë në Rusi. Bëhet fjalë për një institut kërkimor mjekësor rus me seli në Moskë, që do të thotë se vaksinat do të vijnë direkt nga Rusia dhe jo nga ndonjë shtet tjetër që mund të përdorë formulën mjekësore ruse.

Që nga viti 2020, “Gamaleya” operon nën juridiksionin e Ministrisë së Shëndetësisë të Federatës Ruse. Instituti, i themeluar në vitin 1891, është i famshëm si pionier në mikrobiologji dhe në kërkimin e vaksinave.

Ai ka zhvilluar një vaksinë për SARS-CoV-2 në bashkëpunim me Institutin e 48-të Qendror të Kërkimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Institutin Vektor të “Rospotrebnadzor”, në mënyrë që të frenojë pandeminë COVID-19.

Thuajse një muaj më parë, mbërritën në Shqipëri 10 mijë dozat e para të vaksinës “Sputnik V”, si dhuratë nga Princi i Kurorës. Ndërkohë që sasia e dytë e vaksinave ruse, e cila pritet të mbërrijë në vend, sipas kryeministrit Rama është 50 mijë doza.

Procesi i vaksinimit në Shqipëri ka nisur që më 11 janar të këtij viti. Ministra e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi këtë të martë se në total janë kryer 281.216 vaksinime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë