Kryeministri Edi Rama thotë se në fjalën e mbajtur në samitin e NATO-s në Madrid ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë pa vonesa e “Partneritetit për Paqe”.
Mes vendeve anëtare të Aleancës ka nga ato që nuk e kanë njohur ende Pavarësinë e Kosovës. Rama u bëri thirrje që të ndryshojnë qëndrim duke marrë si shembull qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës, pavarësisht se kjo e fundit nuk i njeh pavarësinë.
“Sot në NATO kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njësuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, tha Rama.
Një tjetër çështje që Rama thotë se ka rrokur në fjalën e tij ka qenë shpjegimi i dallimeve mes vendeve të Ballkanit ndaj sanksioneve për Rusinë. Në Ballkan, Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
“Shpjegova dallimet e pozicioneve në Ballkan në raport me Rusinë e me sanksionet ndaj saj,arsyet e këtyre dallimeve dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit e të nxitjes së bashkëpunimit rajonal, duke rritur ndërveprimin konstruktiv me Serbinë të BE-së dhe vendeve të NATO-s”, vijon Rama.
Kryeministri thotë se në bisedën e shkurtër që pati me Presidentin e SHBA, Joe Biden dëgjoi fjalët më të mira prej tij për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa i ka shprehur dëshirën që dy vendet të organizojnë bashkërisht diçka me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Rama deklaron mbështetjen për marrëveshjen e arritur mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës dhe këtu vlerëson rolin dhe qasjen e Presidentit Erdogan, që thotë se ngriti një shqetësim shumë serioz të shtetit turk, duke iu referuar shqetësimit të Ankarasë për mbështetjen që dy vendet nordike i kanë dhënë dhe japin kurdëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje