Politike

Rama kërkon mandatin e tretë: Modeli i tyre, antishteti! Basha, kukull e Berishës, Metës e Kryemadhit

Formatet e hapjes së fushatës në kohë pandemia dhe kufizimesh të grumbullimeve u morën si shembull nga kryesocialisti Rama për t’u treguar shqiptarëve se përse nuk duhet votuar Partia Demokratike.

“Sot, ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina në një ekran televizori të ndarë. Mjafton të shikosh dy kartolinat për të kuptuar dhe për të dëgjuar shumë, ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që na ndan ne dhe ata në mënyrën tonë të të qenit në politikë dhe në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, këtu ka respekt për ligjin, këtu ka respekt për rregullat që i kemi vënë të gjithë së bashku dhe të gjithë së bashku i kemi pranuar dhe mbi të gjitha, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i kanë pranuar dhe zbatuar ditë për ditë. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit”, deklaroi Rama.

Kreu i Qeverisë ironizoi edhe me vonesën e Lulzim Bashës, që u shfaq rreth orës 18:00, pavarësisht se ishte njoftuar se hapja e fushatës do të ishte në orën 17:00.

“Në mungesë të dhëndrit dasmorët dëgjonin klithma, britma, pasthirrma. Si mund të pretendohet në shekullin e 21-të, në vitin 2021 që të merret në dorë e gjithë kjo Shqipëri dhe të qeveriset me britma, klithma dhe pasthirrma. Faktikisht po të shohësh vonesën është shumë domethënëse, sepse ata janë shkaktarët e të gjitha vonesave të këtij vendi, madje edhe të fillimit me vonesë të takimit tonë. Kanë 3 ditë që ndryshojnë orën dhe prapë se prapë na vonuan pak minuta”, tha Rama.

Takimin e sheh edhe hapje, edhe mbyllje fushate.

“Sot, ne nisim në fakt, fundin e një fushate që nuk ka ndaluar në asnjë moment qysh nga dita që kemi marrë mandatin tonë të pare, sepse ndryshe nga ç’ndodhte në të shkuarën, ne qysh prej ditës së parë kemi qenë në lëvizje të vazhdueshme dhe në përpjekje të vazhdueshme, pa pushim. Por sot, zyrtarisht nis fushata e zgjedhjeve të 25 prillit”, vijoi Rama.

Kreu i Qeverisë këmbëngul se me votën për opozitën në pushtet nuk vjen Lulzim Basha.

“Mandati i tretë i PS-së është heqja e çdo mundësie që Ilir Meta, Sali Berisha Monika Kryemadhi të kenë një shans tjetër për të marrë zvarrë Shqipërinë për hesap të llogarive të tyre dhe pushtetit të tyre dhe të gjithë privilegjeve të tyre dhe kur vjen puna dhe Luli nuk ka si e merr një shans pasi Luli nuk është Luli, por është Saliu, Iliri dhe Monika, është një kukull një kukull që po nuk i tunde flen kur tundet hapin sytë dhe nxjerrin këngën në formë ninulle, është një kukull që ne e shohim, kur ikën nga ekrani është një kukull që fle në prehehin e tre xhakajdurëve”, u shpreh ai.

Mandatin e tretë të PS nuk sheh si një qëllim në vetvete për pushtet,.

“Mandati i 3 i PS nuk është për PS dhe për ata që PS e përfaqësojnë si deputetë si ministra si kryetarë bashkish si anëtarë të këshillave bashkiak. Mandati i 3 nuk është për karrigen e askujt përfshirë edhe timen, por është që Shqipëria të mos kthehet dot më kurrë mbrapa sepse ne i bëjmë të pakthyeshme të gjitha reformat që janë rrugës. Mandati i 3 bën të pakthyeshme reformën në drejtësi dhe bën të mundur ardhjen në jetën tonë të një drejtësie të re”, vijoi Rama.

Sipas tij, me votën për opoozitën, reforma në drejtësi rrezikohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë