Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ndjesë ndjekësve që në rrjetet sociale që u ka replikuar në komentet që i kanë lënë në postimet e vazhdueshme të tij.
Rama thotë se nuk e ka asnjëherë si qëllim fyerjen.
“Nuk është fyerja arsyeja pse unë replikoj me ju në këtë faqe, qofshin edhe urrejtësit e mi më të mëdhenj, ata që kundërshtoj! Unë s’kam kurrësesi asgjë personale me askënd nga ju, as ju njoh e as nuk e di kur jeni prej verteti, e kur fallcoprofil, po thjesht debatoj, pa dorashka, sy për sy e dhëmb për dhëmb, siç i thonë, me ata që sulmojne e shpeshherë, shajnë e fyejnë pa frena fare”, shkruan Kryeministri.
Kryeministri thotë se në faqet e tij ka edhe plot mbështetës të opozitës me të cilët debaton.
“Ka dhe disa demokratikas të paepur, që kujtojnë se bëjnë luftë politike me mua këtu e shajnë e nuk pushojnë, mendim ndryshe thonë, por jo, sharja s’është mendim fare, apo jo?! Megjithatë as ata s’dua t’i bëj të ndjehen keq! Në asnjë mënyrë! Debati më tërheq shumë me të gjithë ju dhe me ta sidomos, e të ma bëjnë hallall, sepse kur s’e kam dot debatin politik me ata që demokratikasit e kësaj faqeje votojnë (jane pa lidhje fare të votuarit e tyre, “popull kot” kur i thonë!), s’kam me kë debatoj tjetër më mirë se sa me ta direkt – meqë ra llafi, po ua them: Jeni padiskutim më të vështirë në debat se ata që ju përfaqësojnë në mexhelis, Grupi 7X7=42 e kam llafin”, shkruan Rama.
Pas kësaj deklarate të Kryeministrit ka reaguar nga PD nënkryetari Edi Paloka.
“Në mëngjes në facebook, në drekë në facebook, në darkë në facebook. Udhëheq ushtrinë e profileve fallco që paguan me paratë e shqiptarëve për t’i kundërvënë ndaj kujtdo që nuk ështe dakord me Edi Ramën. Në mëngjes i shan njerëzit me “libër shpie”, në darkë u kërkon ndjesë. Dhe e nis çdo ditë nga e para sipas shprehjes që i shkon më shumë “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”. Në fakt, nuk është vetëm një i ç’ekuilibruar, që nuk e di ç’bën. Është një frikacak që fshihet pas facebookut, pasi nuk ka këllqe të dalë në debat të vërtëtë as me qytetarët, as me kundërshtarët politikë”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje