Politike

Rama kërkon votën e fermerëve: Askush s’ka bërë më shumë për bujqësinë

Kryeministri Edi Rama kërkoi mbështetjen e fermerëve më 25 prill duke deklaruar se asnjë Qeveri në të shkuarën nuk ka bërë për ta aq sa kanë bërë dy qeveritë e tij nga 2013-ta.

“Për këtë mjafton t’u sjell dy shifra dhe dy fakte qe mbase kurrë nuk do të dalin në televizor, që janë dy shifra që tregojnë se ne jemi në drejtimin e duhur dhe se kemi vendosur bazat e forta të një transformimi që vazhdon”, deklaroi ai.

Rama foli para fermerëve në Rrogozhinë. Dy shifrave që iu referuan lidheshin me sipërfaqen e tokës së punuar dhe deficiti tregtar për produktet bujqësore.

“Në këto 7 vite e ca kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës që punohet. Kur kemi marrë detyrën e kemi gjetur afër 125 mijë ha tokë, sot punohet 250 mijë ha dhe ka ende sipërfaqe për t’u mbuluar me punë. Shqipëria importonte 7 dhe eksportonte 1, sot importon vetëm 3 dhe eksporton 1. Rënia e importit të prodhimeve bujqësore lidhet drejtpërdrejtë me rritjen e prodhimit këtu në vend dhe rritjen e pranisë në tregun vendas. janë rritur eksportet dhe do të vazhdojnë të rriten”, tha Kryeministri.

Kryesocialisti u tha fermerëve se shteti ka qenë gjithmonë në krah të tyre pas 2013-ës dhe si shembull solli shndërrimin e Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Rurale.

“Shteti ka qenë në krahun tuaj me skemat kombëtare dhe mbështetjet nga fondet e BE. Kur kemi marrë detyrën ishim të fundit në rajon për thithjen e fondeve të BE, sot jemi të parët në Ballkan për thithjen e këtyre fondeve, sepse kemi ngritur një agjenci europiane, siç është AZHBR”, u shpreh ai.

Rama tha se opozita që kërkon të rikthehet në pushtet është antishteti, rrumpalla, paaftësia dhe dëmi që i rri gjithmonë si kërcënim mbi kokë vendit.

“Nuk kanë bërë një punë të hajrit sa herë që e kanë marrë detyrën”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë