Politike

Kuvendi kalon buxhetin, Rama: Akuzat për borxhe, dokrra!

Kuvendi miratoi me 87 vota pro projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Gjatë fjalë së tij, Kryeministri Edi Rama u kërkoi deputetëve të opozitës parlamentare që ta mbështesin atë, duke e vlerësuar atë si buxhetin e ringritjes ekonomike dhe të përballjes me dy krizat që kanë goditur vendin.

“Buxheti që kalon sot është kuptimplotë. Është buxheti i një force politike që nuk i ka bërë bisht përballjes me dy kriza të njëpasnjëshme, një goditje nga tërmeti dhe një goditje që faktikisht ka tronditur të gjithë planetin”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë përmendi rritjen e pagave për mjekët dhe mësuesit, heqjen e TVSh-së dhe të taksës së fitimit për biznesin e vogël dhe rritjen e pagës minimale.

“Janë angazhime financiare të mëdha që nuk janë të vogla në kushtet që jemi me kaq shumë shtrëngesa të diktuara nga pandemia dhe një shtrëngesë ekstra të diktuar nga tërmeti i 26 nëntori”, tha Rama.

Kreu i Qeveria iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për rritjen e borxhit.

“Këto janë dokrra! Morët borxhe këtu e morët borxhe atje! Çështja e çdo qeverie nuk është sa borxh merr, por sa aftësi ka për të marrë borxh dhe për ta paguar borxhin. Nuk të jep njeri borxh nëse nuk ke aftësi për ta paguar borxhin”, u shpreh ai.

Rama mbrojti punën dhe planin e Qeverisë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, ndërsa renditi katër pikat ku bazohet, sipas tij projektbuxheti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë