Kryeministri Edi Rama iu rikthye kritikave ndaj Bashkimit Europian, që sipas tij refuzon të ndryshojë dhe të ketë një qasje tjetër më solidare ndaj Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Nuk e shoh Europën të ndryshojë në asnjë lloj mënyre. Europa është e mirë për të bërë më shumë takime, nuk ka problem aty. Çështja është se si vetë Europa po ndryshon dhe nuk duket sikur po ndryshon në asnjë farë mënyrë. Është më së tepërmi një lloj inercie midis një lufte ku nga njëra anë janë rusët, nga ana tjetër është Ukraina dhe amerikanët që po japin një mbështetje shumë të madhe dhe Europa që po bashkohet me këtë mbështetje aq sa mundet çdo vend, por nuk është diçka e tillë si Europa, këtu ka vende të ndryshme me një qëndrim të përbashkët, që në rregull, është një qëndrim në parim, por në fund të fundit nuk duket sikur janë të gjitha premisat për të qenë tejet optimist”, tha Kryeministri.
Rama foli në forumin europian Alpbach që po mbahet në Austri. Sipas tij, BE e ka izoluar Ballkanin Perëndimor nga të gjitha krahët dhe kur vjen puna për t’u solidarizuar me sfidat e rajonit nuk vepron. Si shembull për këtë risolli rastin e vaksinave anti-Covid.
“Kur diskutojmë gjeostrategjinë flasim për aktorë të tretë, të cilët nuk duhet të lejohen të hyjnë në Ballkanin Perëndimor, por kur vjen fjala për një çështje jete a vdekje është Kina që shpëton mjaft jetë në Ballkanin Perëndimor, është Rusia dhe është Turqia. Pa Presidentin e Turqisë nuk do të kishim pasur vaksinat”, vijoi Rama.
Duke folur për energjinë e rinovueshme, Rama kërkoi nga Brukseli që të hedhë sytë nga Lindja e Mesme, sidomos nga Arabia Saudite.
“Pika e fundit që kam është që ndërkohë kjo luftë ka ardhur edhe me një shans jashtë mase, jashtë mase interesant po të mund ta përdorja këtë fjalë, për të bërë një tranzicion më të shpejtë, të gjelbër, jo më për shkak të dëshirës, por për shkak të nevojës. Ne mund të ecim shumë më shpejt për të ndryshuar tërë natyrën e prodhimit tonë të energjisë. Por për këtë kemi nevojë për Arabinë Saudite për shembull. Kemi nevojë të shohim nga Lindja e Mesme. E po përmend Arabinë Saudite sepse ka një potencial të stërmadh për të krijuar bashkëpunim bazuar në vizionin e 2030 që po kështu ka të bëjë me eksportimin, pra për ta bërë Arabinë Saudite, imagjinojeni, ata janë të ulur mbi naftë e duan të bëhen të vetëmjaftueshëm në energjinë e gjelbër dhe eksportues neto të energjisë së gjelbër”, deklaroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje