Një foto e kryeministrit Edi Rama me dy kampionet olimpike të Kosovës e shkrepur të hënën ka sjellë mjaft reagime nga komentues, nxitur nga një debat vijues nga politika kosovare për nismën “Ballkani i Hapur”.
“…A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?
E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën.
A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin vulgar të tradhëtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare?
E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”, shkruan Rama.
Së dyti, kryeministri nënvizon se, “Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia”
“…Kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me “lulin” e kinse patriotizmit digjital.
Koha do të flasë më shumë e më mirë”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje