Politike

Rama: Masa nga tatimet për ata që nuk deklarojnë pagat reale, me problemet brenda PD nuk merrem

Në një komunikim prej rreth 50 minutash, kryeministri Edi Rama ka folur për shumëçka fillimisht duke iu drejtuar shqiptarëve me disa objektiva që qeveria e tij do të ndërmarrë këtë vit dhe më pas duke iu përgjigjur disa pyetjeve të ndjekësve në Facebook.

Por kryefjala e Ramës si në komunikimin drejtuar të gjithëve ashtu edhe ne dy tre përgjigjet që dha i pyetur nga qytetarë të ndryshëm ishin pagat.

Duke e konsideruar publikimin e pagave si diçka të keqe, Rama ka deklaruar se paralelisht duhet parë edhe ana pozitive, sa kohe që njoftoi se nga tatimet ka filluar dhe do të vijojë njoftimi përmes një letre drejtuar të gjithë atyre që dyshohen për mos deklarim të pagës reale në shtet.

Rama iu referua atyre që kanë deklaruar pagën minimale por që dyshohet nëse paguhen me një pagë të tillë, e deri atyre me paga të larta, një mesazh kishte edhe për ata që deklarohen si biznes i vogël por kanë tejkalim të ardhurash e deri tek ata që sipas tij nuk justifikojnë apo kanë mospërputhje të pasurive që zotërojnë me pagat. Rama tha se ndaj rastave të tilla do të zbatohen masat  që parashikon ligji.

Rama njoftoi gjithashtu se qytetarëve do tu mbërrijë një formular nga qeveria ku do të pyeten për shumëçka.

“Kur deklarohet një pjesë e pagës dhe një pjesë jepet në dorë këtu kemi të bëjmë me grabitje të skemës së pensioneve

Ka raste abuzimi me pagën minimale, ne do të bëjmë ndërhyrje të vazhdueshme, duke shkuar deri në sanksione të forta për abuzuesit.

Dua të theksoj se këtë vit duam të vendosim një nivel të ri komunikimi mes njëri tjetrit, duam ta dëgjojmë njëri tjetrin më shumë. Për këtë ka nisur procesi dhe do të filloni të merrni në shtëpinë tuaj letrën e këshillimit kombëtar, që qeveria organizon për të marrë opinionin tuaj lidhur me një sërë temash që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, drejtësinë luftën ndaj kriminalitetit dhe ecurinë drejt BE. Është një formular i thjeshtë dhe anonim. Do të plotësohet lirshëm dhe do ta kthejë në mënyrë që ne të mbledhim opinionet tuaja”, tha Rama.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama u pyet gjithashtu dhe në lidhje me situatën brenda Partisë Demokratike.

“Nuk është problemi ynë, ne kemi kaq shumë çështje serioze për të diskutuar në mënyrë për të kursyer sa më shumë kohë nuk ja vlen të merresh. Faktikisht ajo që po ndodh është një kacafytje mes dy kufomave, njëri ‘grata’ dhe tjetri ‘non grata”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë