Politike

Rama në Beograd: ‘Ballkani i Hapur’ projekt paqeje

Gazeta Si – Gjatë fjalimit të tij në nisje të panairit ekspozues të “Ballkanit të Hapur”, kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo nismë është një projekt paqeje.

Sipas Ramës, vendet e Ballkanit, të cilat i krahasoi me një lagje të vogël të Europës, tha se është koha për të bashkuar qytetarët dhe jo për t’i kthyer krahët njëri-tjetrit.

“Ballkani i Hapur është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe, i një vizioni të përbashkët për të ardhmen që kjo lagje e vogël në mes të Europës të mos vuajë më nga hijet e të shkuarës”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se rajoni ka humbur shumë kohë, duke u përpjekur t’i tregojë njëri- tjetrit se kush është i pari.

“Ndërkohë që një gjë e kemi mësuar të gjithë, që asnjë prej nesh nuk do të shkojë diku tjetër, të gjitha vendete tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh, edhe shumë e shumë vite pas nesh dhe zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë, si të qëndrojmë këtu në këtë vend duke qenë të gjithë në të njëjtën lagje të Evropës, duke u përpjekur ta bëjmë më të gëzueshme, më të jetueshme apo paqësore, apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri-tjetrit, duke i vënë flakën njëri-tjetrit siç kemi bërë prej shumë vitesh e shekujsh”, – deklaroi kryeministri shqiptar.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vlerësoi punën e bërë për organizimin e panairit të verës.

Ai theksoi se nisma e “Ballkanit të Hapur” i ka afruar më shumë vendet e rajonit.

“Qindra njerëz investuan përpjekje të jashtëzakonshme, punë, energji. Janë këta njerëz që kanë punuar ditë e natë për të organizuar këtë eveniment kështu siç është. Ka pasur nga ata që kanë qenë kundër kësaj. Për arsye të ndryshme politike shumë njerëzve nuk u pëlqeu kjo ide, por nuk mund të fitosh diçka që vjen natyrshëm. Kjo na ka sjellë më pranë njëri-tjetrit. Është në interesin tonë. Ballkani i Hapur nuk i ka sjellë asgjë të keqe askujt. Do vijojmë të punojmë për Ballkanin e Hapur”, tha Vuçiç.

Këtë të enjte nisi në Beograd zyrtarisht panairi i verërave, ku marrin pjesë 333 ekspozues. Ky panair është i pari që mbahet pas marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, Presidenti serb Vuçiç, Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Abazoviç e zyrtarë të tjerë marrin pjesë në panairin e verës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë