Kryeministri Edi Rama do të drejtojë vetë mbledhjen e përjaveshme të Qeverisë, që do të mbahet në mesditë. Më pas, para mediave do të dalin si zakonisht ministrat për të folur për vendimet e marra.
Mbledhja pason urdhër-arrestet e SPAK për inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit, ku mes kërkesave për arrestim është edhe ajo drejtuar Kuvendit për lëshimin e autorizimit për të ndaluar deputetin socialist, Alqi Bllako.
Bllako njoftoi mbrëmjen e së martës se do të dorëzonte këtë të mërkurë në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke shmangur kështu nisjen e procedurave parlamentare nga Kuvendi për arrestimin e tij.
Po të martën, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla nënkuptoi se PS do ta votonte autorizimin, në rast se Bllako do të refuzonte dorëheqjen nga posti i deputetit.
Ndërkohë, në orën 17:00, Rama do të mbledhë kryesinë e Partisë Socialiste. Këtu vendimmarrjet mund të jenë edhe më të mëdha se vetë ato të Qeverisë. Mbledhja e kryesisë mbërrin mes zërave të shtuar për ndryshime në kabinet dhe situata e krijuar pas urdhër-arresteve të SPAK mund të përshpejtojë këto ndryshime.
Alqi Bllako akuzohet për rolin që ka pasur në dhënien e të tre inceneratorëve, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, të drejtuar nga Lefter Koka dhe si drejtor i AKUM-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje