Kryeministri Edi Rama shënjestroi sërish Bashkimin Europian dhe mekanizmin e zgjerimit, duke përsëritur se ky mekanizëm është deformuar në frymë. Këtu Kryeministri iu referua vetove që vendosin vende të caktuara anëtare ndaj vendeve kandidate, si në rastin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.
Rama e cilësoi samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel si “depresiv”.
“Nuk është ide e mirë të ftosh dikë dhe nga Ballkani dhe ta lësh të ulet se mund të kërkojë vërtetë shumë kohë që të dëgjosh fjalën e tij. Urime të gjithë atyre që patën idenë që të qëndroj në këmbë në mënyrë që trupi im të ndal vrullin tim. Nuk ka vend më të mirë se Austria për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit”, deklaroi Rama.
Kryeministri mori pjesë në Austri këtë të shtunë në Forumin Europian Ëachau me temë “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE”. Këtu komentoi edhe reagimet që pasuan në Bruksel, e sidomos në Sofje deklaratat e bëra në konferencën për shtyp në fund të samitit.
“Shumë njerëz i komentuan ato që thash në konferencën për shtyp si një zemëratë të madhe. Mund të jetë, por nuk ka të bëjë me ju, por me BE-në. Pasi qëndruam atje për 4 orë me radhë dhe i pamë e dëgjuam, ndjemë pafuqinë e tyre përballë një situate surreale, kur një vend i NATO-s merrte peng dy vende të tjera të NATO-s në mes të një lufte të nxehtë në kufijtë e Europës, që rrekej të qëmtonte pasiguri historike përpara 26 vendeve të tjera që nuk mund të bëjnë asgjë”, u shpreh ai.
Rama nuk është aq optimist për votën në Parlamentin bullgar që heq veton.
“Parlamenti bullgar votoi për diçka që shpresoj të jetë e mjaftueshme për Maqedoninë e Veriut, por kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë. Ka diçka më të thellë që është humbur dhe duhet rikuperuar shpejt. Të gjithë dëgjojmë se Putin është shumë i sëmurë, mund të jetë e vërtetë, por edhe mund të mos jetë. Nga ana tjetër, BE-ja nuk duket se është shumë e shëndetshme. Një mik këtu tha se Putin ka bërë bashkë Europën, por është shumë herët për të thënë këtë, pasi nuk duket se dimri i ardhshëm do të jetë i lehtë dhe nuk duhet ta marrim këtë të mirëqenë”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje