Kryeministri Edi Rama zhveshi veten dhe Lulzim Bashën nga përgjegjësia e nxitjes së tensioneve në këtë fushatë elektorale, tensione që kulmuan ditën e mërkurë me vrasjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve në qytetin e Elbasanit.
Rama thotë se si ai, ashtu edhe Lulzim Basha kanë treguar vetëpërmbajtje, duke iu përgjigjur kështu edhe thirrjeve të SHBA e BE drejtuar udhëheqësve politikë. Kjo thirrje, nënkuptoi kryesocialisti, duhet të adresohet nga Presidenca.
“Në fakt tani nuk dua të zbus apo të lehtësojë pozitën e Lulëzim Bashës, por realisht në këtë aspekt përjashto atë halucinacion të atij Gazmend Bardhit, që ka një përgjegjësi të madhe për fjalët që nxori dhe për gjestin makabër duke mbajt fjalime 2 metra nga xhenazja, por Lulzim Basha nuk është se ka treguar mospërmbajtje. Unë s’di të kem treguar mospërmbajtje, ndërsa Ilir Meta është i mospërmbajturi i madh i kësaj historie. Lëviz në çdo vend dhe iu del shqiptarëve si gogol në televizor”, tha Rama në një intervistë për emisionin Real Story në News24.
Duke iu referuar një deklarate të kreut të Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, Kryeministri thotë se Ilir Meta është njeriu i fundit që mund të flasë për shit-blerjen e votave.
“Ajo pune gishtave të Ilir Metës më kujton një shprehje të Patozit dikur që tha; Kur ilir Meta flet kundër blerjes së votës, ta besosh është njësoj sikur ISIS të predikojë luftë kundër terrorizmit. Ky njeri që vjen vërdallë në Shqipëri dhe e bija i thotë; babi mos pi, eja në shtëpi dhe i dehur, i lemerisur nga fantazmat që se lënë të marrë frymë, është katastrofë ambulante”, u shpreh ai.
Kryeministri deklaroi se pas zgjedhjeve do të diskutohet mundësia e shkarkimit të Ilir Metës, ndërsa përjashtoi mundësinë e një koalicioni të dytë me LSI-në nëse nuk merr shumicën e nevojshme.
“Asnjë bashkëpunim nga halli unë s’jam më i gatshëm të bëjë. Nëse PS nuk merr shumicën që mua bashkë me shqiptarët më duhet për ta çuar Shqipërinë në majën ku mund të ngjitet, por s’i ka mandatet për të qeverisur dhe duhet që të fillojë të bëjë një proces nga halli, hallin do t’ia delegoj dikujt tjetër. PS nuk do mbarojë nëse mbaron karriera ime. PS do të vazhdojë”, pohoi ai.
Për Bashën përsëriti se i qëndron ftesës së bërë për bashkëpunim, pavarësisht se shpreh bindjen se më 25 prill shqiptarët do t’i japin nga 74 deri në 78 mandate.
“Po, ftesa ime për bashkëpunim me Bashën qëndron, këto nuk përjashtojnë bashkëpunimin. Ne do të fitojmë zgjedhjet vetëm. Ne do të marrim 74 deri 78 mandate më 25 prill”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje