Politike

Rama: Me ata vaksinimi do të kthehet në një proces të humbur, Rindërtimi në zvarritje e torturë

Gjatë një bashkëbisedimi në Fier me mbështetës dhe kandidatë të këtij qyteti, kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo maxhorancë “duhet të vazhdojë punët që ka nisur”.
“Kjo bëhet duke vazhduar të luftojmë dhe mbi të gjitha duke u siguruar që armiku i padukshëm është mundur, që pasojat e tëmetit janë neutralizuar, që gjithë ato familje që akoma presin, të hyjnë në shtëpitë e reja, në ato lagjet e reja që po ndërtojmë. Kush do t’i bëj këto? Kush do të vazhdojë ta vaksinojë popullin? Më thoni”, u shpreh ai.
“Ne kemi siguruar doza vaksina të konsiderueshme dhe i kemi siguruar të gjitha vaksinat. Kush mendoni ju se do t’i sigurojë të gjitha vaksinat? Ata? Ata që kanë në krye atë që përditë që nga ajo gropa e tij dixhitale iu bën thirrje që të mos vaksinoheni se nga vaksina vdesin përditë njerëz. Ata harrojeni. Me ata procesi i vaksinimit që është një proces i fituar tashmë do të kthehet në një proces të humbur”, tha Rama.
“Ata, – vijoi ai, – do t’i kthejnë të gjithë njerëzit në shtëpi? Në lagjet e reja që po ndërtohen. Harrojeni!” “Me ata procesi i Rindërtimit do të kthehet në një torturë dhe zvarritje sikundër i kanë zvarritur në tërë jetën e tyre, sa herë e kanë pasur një detyrë”, tha Rama.
Rama tha se, me ata sezoni turistik nuk lehtësohet.
“Nëse parafytyrojmë për një moment atë që nuk do të ndodhë që ata më 25 prill të marrin mbështetje për t’u kthyer prapë. Nuk do të ndodhë. Por që të jemi të qartë dhe ky mesazh i mi është për ata shqiptarë që akoma iu shkojnë nga prapa. Për ata shqiptarë që inatin për vjehrrën duan ta shfryjnë me mullixhiun. Pra mund të ketë arsye, për të pasur inat, po të shkosh me mullixhiun, është pak si tepër”- tha Rama, ndërsa theksoi se kështu është dhe kjo puna jonë.

“Ka nga ata që kanë arsye të mos e shohin me sy, Gramoz Rucin dhe mua, ose PS-në, por kjo nuk ka lidhje me syrin, kjo ka lidhje me interesin e atyre të përditëshëm. Është gjëja më e kollajshme hiqe fytyrën time nga TV dhe shko tek ajo përputhen dhe rri atje. Po ndërkohë taksën vazhdo ta mbash 0, fëmijën vazhdo ta garantosh se do shkojë në universitet sipas meritës së tij dhe nuk do t’i dali përpara as djali i djalit të babës, as vajza e deputetit siç nuk i del dot sot. Qëndro tek ajo përputhen dhe merri fotografinë e Lulit dhe vare në mur dhe nuk zgjohesh më, zgjohesh pasdite. Do të votosh Lulin që të paguash si biznes i vogël taksë, ndërkohë që e ke 0 dhe të paguash 9%, që Luli të flejë në kryeministri. Po çfarë do me thënë kjo. Po pse kaq shumë të pëlqen Luli që do të paguash taksë për 4 vjet”- u shpreh Rama.
Ndërsa theksoi se, “kaq shumë të pëlqen PD-ja, sa që je gati të shikosh të ndalen gjithë punët, sepse ata e thonë, këtu do e ndalim, këtu do ta përmbysim, këtu do ta shkatërrojmë, këtu do ta fillojmë nga e a para. Po më thoni ka më kohë, Shqipëria të kthehet pas? Ka më kohë Shqipëria për t’u marrë me këta?. Po ka më sens që pas 30 vitesh të hyj prapë në dasmë si në kohën e Sudes dhe Xhaferrit”. /ata


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë