Politike

Rama: Me Bashën Shqipëria fiton infektimin

Kryeministri Edi Rama thotë se ka marrë një mesazh në telefonin e tij, ku si foto i ka mbërritur një pjesë nga takimet e Lulzim Bashës me të rinjtë në qytetin e Elbasanit.

“Mirë ma thotë dikush që ma çon këtë foto në Whatsapp: Edi Rama dhe Partia Socialiste po bëjnë vaksinimin masiv, ndërsa Lulëzim Basha dhe Partia Demokratike po bëjnë infektimin masiv. Turp! Papërgjegjshmëri! Rrumpallë! Me këta Shqipëria Fiton Infektimin”, shkruan Rama.

Kreu i Qeverisë akuzon kreun e PD-së së vijon të mos respektojë masat kundër përhapjes së Covid, kulmimi i të cilave ishte gjatë hapjes të fushatës në sheshin Nënë Tereza më 25 mars.

Këtyre akuzave të Ramës, PD iu përgjigj përmes një deklarate të shkurtër për shtyp.

“Turp është të lësh mijëra qytetarë pa çati mbi kokë për një vit e gjysmë. Papërgjegjshmëri është të mbash Shqipërinë në vendnumëro për 8 vite, ta largosh atë nga BE-ja dhe të mos u ofrosh asnjë të ardhme shqiptarëve. Rrumpallë është fushata e Ramës, që nuk ka asnjë arritje për të shpalosur, ndaj flet gjithë ditën për kundërshtarët”, thuhet në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë