Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, ka sjellë “përplasjen” e radhës mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Kryeministri Rama zgjodhi që të krenohet me faktin se ndryshe nga qeveritë paraardhëse, në kabinetin e tij qeveritar ka më shumë gra ministre. Me anë të një videoje krahasuese, Rama thekson se sot në qeverinë e tij, 50 për qind e ministrave janë femra, duke shkruar se “GËZUAR 8 MARSIN të gjitha grave e vajzave shqiptare, që janë gjysma me e mirë e këtij populli”.
Presidenti Meta nga ana e tij ka dhënë një mesazh ndryshe për këtë ditë ndërkombëtare. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit i kërkon vajzave që të mos keqpërdoren nga politika.
“Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave. Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika. Duhet të çlirojmë potencialet e vërteta dhe të plota të vajzave dhe grave të Shqipërisë, që të ndalim shpopullimin e Atdheut dhe degradimin e familjes”, shkruan presidenti.
Në të njëjtën kohë, Meta falënderon të gjitha ato gra e vajza që dolën në shesh më 2 mars, duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit.
Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka zgjedhur të bëjë një urim të thjeshtë, apolitik për këtë 8 mars, duke publikuar një foto të vajzave, që ia urojnë nënës së tyre këtë ditë. “Mëngjesi sot nisi me një urim nga familja jonë për të gjitha vajzat dhe nënat shqiptare: Gëzuar 8 MARSIN!”, shkruan kryedemokrati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje