Politike

Rama: Ndikimi turk në Shqipëri, një mit! Ballkani i Hapur përshpejton integrimin në BE

“S’jam as optimist, as pesimist! Jam realist, që do të thotë se unë e di, të gjithë e dimë që tashmë nuk varet më nga ne, por na ata”. Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin se moshapja formale e negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është pasojë e problemeve të brendshme të bllokut.

“Boll çuditshëm, Shqipëria tani duhet të presë që Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Rama në një intervistë për ANSA-n.

Kryeministri i cilësoi më shumë mite zërat se bllokimi i procesit të integrimit po shton ndikimin e Rusisë, Kinës, Turqisë dhe vendeve arabe në Shqipëri.

“Ky është më shumë një mit se sa realitet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka asnjë aktor që mund të na ndryshojë përkatësinë tonë europiane. Euripa është një besim për ne dhe pavarësisht të gjitha pengesave dhe zhgënjimeve, duam të jemi pjesë e saj”, tha ai.

Kryeministri mbrojti nismën “Ballkani i Hapur”, si një mekanizëm që shtyn më shpejt përpara procesin e integrimit në Bashkimin Europian. “Përmes zbatimit në rajonin tonë të katër lirive të Bashkimit Europian. Është një projekt për të vulosur paqen dhe bashkëpunimin. Të vetëm jemi shumë të vegjël për të qenë konkurrues, të bashkuar në një treg të vetëm mund të jemi tërheqës mjaftueshëm”, u shpreh ai.

Rama foli edhe për refugjatët afganë dhe vendimin e Shqipërisë si një ndër vendet e para që hapi derën e pritjes për ta.

“Historia dhe jeta na ka mësuar se ka një kohë për të dhënë dhe një kohë për të marrë. Ne ishim afganët e Europës 30 vite më parë në brigjet e Italisë. U ndihmuan dhe strehuam në atë kohë falë Italisë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë