Politike

Rama në Elbasan: S’merret pushteti me bllokime rrugësh, PS merr gjithë bashkitë

Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e takimeve “Bashkia që Duam” në qytetin e Elbasanit. Fjalën e tij, kreu i qeverisë e nisi duke komentuar bllokimin e rrugës sot në hyrje të qytetit të Elbasanit. Ai i cilësoi deputetë pijanecë ata që bllokojnë rrugët dhe sjellje rrugaçërie dhe të patolerueshme për shekullin që jetojmë.
“Si mundet që në vitin 2019 një parti politike të shfaqet duke bllokuar rrugët, duke penguar dhe njerëzit që lëvizin në atë rrugë për hallet e tyre. Pretendojnë luftë për demokraci. Po për këtë duhen argumente dhe jo luftë me vezë, me bojë, me miell e me çizme”, u shpreh kryeministri Rama.
Fjala e kryeministrit vijoi duke shënjestruar kryedemokratin Basha për djegien e mandateve dhe daljen nga Parlamenti.
“Ne kemi bërë gjithçka kemi mundur që të mos vinte dita që zgjedhjet të bëheshin pa pjesën më të rëndësishme të opozitës, Partia Demokratike dhe pjesa e filxhanit janë pjesa më e rëndësishme e opozitës pavarësisht se gjithë bota i dënoi në 2017, ne donim dhe besuam që ata të futeshin në zgjedhje. Ne i dhamë Lulit gjithçka kërkoi, i dhamë gjysmën e qeverisë. U mësua keq ai, po çfarë është këtu kope? Për çfarë na e keni dhënë votën të shkojmë në kopsht të zihemi për lodra dhe ti marrë ai që qan më shumë. Nuk mund të thotë deputeti që po iki nga parlamenti se jam popull, ti je shërbëtor i popullit që ke shumë llogari për të dhënë”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Më tej, ai ironizoi ish-deputetin Edmond Spaho dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, sipas tij e vetmja që ka ardhur në Elbasan për të blerë vota.
“E pashë atë profesorin, Spahon se festonin fitoren e Ajaxit sikur kishin mund PS. Festonin për Ajax se unë jam me Juventus, ku qëlloi përkoi edhe me Holandën, e shkruante profesori ‘siç ta boni Holanda dhe Ajax do ta bëjë edhe Luli’. Ky është profesor a e kuptoni ju? Ajax fitoi me lojë të bukur, jo duke djeg gomat. Këtu është vendi me i thonë të gjitha, e kishit fallxhoren deputete ju, por prapë do t’ju vijë, t’ju hapë filxhanin, do ju thotë e keni një rrugë për jashtë shtetit ndaj më votoni mua”, tha Rama.
Kryeministri e quan absurde sjelljen e opozitës, që doli me festë nga parlamenti e tani po bën sherr për të hyrë.
“Na e kanë rrokanis kokën përditë e përditë, kanë fol në parlament më shumë se ne, Luli ka munguar 6 muaj ka fol 3 orë më shumë se unë dhe thotë nuk kemi të drejtë për folur, se ngatërrojnë këtë me të drejtën tonë për të vendosur. Tani gjërat janë të qarta, ata kanë vendosur të ikin, dolën nga parlamenti me festë dhe çdo të enjte vinin të dera për të hy me zor. Keni parë kështu ju, gjithë ajo festë për të dalë e pastaj sherri sherri për të hyrë, shyqyr që jeni në Elbasan se do i kishit nëpër pemë, nuk e kuptoj, dhe tundin pemët, mua më dridhet zemra, mos po bie ai tjetri nga pema, u nisën të më rrëzonim mua, rrëzuan Myslim Murrizin”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama bëri edhe prezantimin e Gledian Llatjas për Bashkinë e Elbasanit, i cili siç tha ai do të ndjekë rrugën e Qazim Sejdinit.
“Më 30 qershor në këtë shesh do të bëhet një festë e madhe, i gjithë Elbasani do falënderojë Qazim Sejdinin dhe do i japë bekimin votës dhe fitores pasardhësit të tij Gledit. Duke uruar që të vazhdojë në atë rrugë dhe të bëjë edhe më shumë”, tha Rama.
Rama u shpreh i bindur që më 30 qershor Partia Socialiste do të marrë të gjitha bashkitë e Shqipërisë dhe tha se në këtë mandat tjetër ka akoma shumë gjëra për të bërë për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë, duke nisur nga shëndetësia, rendi, arsimi.
“Do të punojmë që edhe problemet me rendin, shëndetësinë të zgjidhen. Por këto probleme nuk lindën me ardhjen tonë në pushtet.
Si ishin shkollat në Elbasan, si janë sot, patjetër që ka shumë gjëra për të bërë.
Brenda këtij mandati do të transformohen të gjitha konviktet në Shqipëri”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë