Kryeministri Edi Rama në një takim në Gjirokastër në lidhje me “Paktin për Universitetin” ka kritikuar studentët për disa problematika, që sipas tij janë harruar. Rama është shprehur se një ndër problemet kryesore janë pedagogët sharlatanë, që shiten si doktorë shkencash dhe tregtojnë libra në këmbim të notës.
“Shumica e pedagogëve janë të denjë dhe nuk mund të futen të gjithë në një thes. Por, një pjesë tjetër janë sharlatanë, që shiten si doktorë shkencash. Universiteti duhet të fillojë verifikimin e titujve shkencorë. Duhet të ndalohet dhe tregtia e librave në këmbim të notës”, u shpreh Rama.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga Universiteti i Gjirokastrës dhe stafi pedagogjik angazhim për të nxjerrë fonde e të mos presin vetëm nga buxheti i shtetit. Sipas Ramës, pakti është një program i detajuar angazhimesh. Qeveria që e ka marrë përsipër sipas tij do t’i nënshkruajë me përgjegjësi. Por, kjo kontratë do tri palë: qeverinë, universitetin dhe studentët.
“Nuk është buxheti i shtetit përgjigje për çdo nevojë financiare, ashtu siç nuk është shteti përgjigjja për çdo nevojë për punë. Mendoj se të mësuarit e njerëzve në vendin tonë se jetojmë në një sistem tjetër jo ai kur shteti mendonte për gjithçka duhet futur herët në shkollë.
Është shumë rrugë e shkurtër të financosh universitetin me paratë e shtetit dhe të buxhetit. Është rruga më e shkurtër të thuash ne kemi nevojë për kaq lekë, buxheti na jep kaq, të tjerat prindi.
Ndërkohë pjesa e tretë, angazhimi i trupës pedagogjike për të nxjerrë para mungon komplet. Universitetet në botë gjenerojnë të ardhura. Jo vetëm me sponsorët që kanë, donatorët por dhe me ato që i ofrojnë tregut. Ky universitet është i ndërtuar dhe jeton përditë mbi një pasuri të jashtëzakonshme”, u shpreh kryeministri Rama.
Gjatë fjalës së tij me studentët, kreu i qeverisë ka dhënë një mesazh edhe për dialogun, një ditë pasi deputetët e opozitës dorëzuan mandatet.
“E mira e dialogut është që jo vetëm flet dhe tjetri dëgjon, por dhe dëgjon tjetrin kur flet dhe mëson nga tjetri. Del më i ditur sesa në momentin kur hyre”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje