Politike

Rama në Shkodër: PD ju mban peng prej 30 vitesh! Na jepni një mundësi

Shkodra, bastioni i Partisë Demokratike mbeti si i tillë edhe pas zgjedhjeve vendore të bojkotuara nga opozita më 30 qershor të 2019. Kryeqendra e veriut ishte ndalesa e radhës një fushatën e Edi Ramës.

Në fjalën e tij para mbështetëse, Rama kërkoi që Shkodra t’i japë një mundësi Partisë Socialiste.

“Shkodra, nëse do t’i japë vetes një mundësi, nëse do se nëse nuk do…ka 30 vite që bën të njëjtën gjë dhe çdoherë pret rezultate të ndryshme. Na jepni një mundësi të tregojmë a ja vlejmë, apo jo për Shkodrën, po me siguri ja vlejmë më shumë se ata”, tha ai.

Kryeministri tha se fantazmat e së shkuarës po mbajnë peng ende Shkodrën.

“Në emër të demokracisë dhe të Partisë Demokratike bënë atë që Enver Hoxha donte të bënte prej kohësh. PD e Shkodrës nuk është asgjë tjetër, por fiks siç Enver Hoxha do të donte që të ishte PD. Fiks siç do të donte Enver Hoxha që në emër të demokracisë, lirisë dhe luftës së komunizmit e gjithë Shkodra të mbahej peng”, vijoi ai.

Shkodrën, tha Rama, e mban peng Enver Hoxha me fantazmën e tij, hijen e tij dhe frymën e tij. “E mban peng si mallkim përmes atyre që i thonë vetes Partia Demokratike e Shkodrës. Vetëm hija e Enver Hoxhës në tru mund ta shpallte tradhtare Jozefina Topallin. Topalli nuk ka asnjë lidhje me mua, por ajo tradhtare, njësoj si të ishte Liri Belishova dikur?! Me duart e PD dhe me çipin që u ka lënë në tru Enver Hoxha që keni 30 vite që luftoni komunizmin. Ça komunizmi luftoni ju?! Luftoni komunizmin me mua?! Unë komunisti, Saliu është demokrati?! PS komuniste?! Kush është komunist këtu?! Edona? Beneti? Paulini? A, është Iliri (Beqaj). Ai është komunisti. Ai ka pushkatuar njerëz këtu në Shkodër!”, ironizoi kreu i Qeverisë. .

Jemi në një moment historik, tha Rama. “Ne sot jemi në pikën ku mund të shohim me sytë tanë që arritëm aty ku askush, madje shumica dërrmuese mes nesh nuk e besonte në dalje të tunelit të pandemisë më shpejt se shumë të tjerë, shumë më të fortë dhe më të zhvilluar se ne”, tha ai.

Rama kërkoi votën për të marrë mundësinë që të vijojë investimet në Qarkun e Shkodrës, ku përmendi investimet në Malësinë e Madhe dhe në Pukë.

“Ta kthejmë Shqipërinë në kampione të Ballkanit në turizëm dhe agro-turizëm e bujqësi”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama sqaroi se me ftesën për bashkëpunim që i drejtoi Lulzim Bashës nuk nënkuptonte bashkëqeverisjen.

“Bashkëpunimi nuk ka lidhje me qeverisjen, por për t’i dhënë politikës një fuqi sa më të madhe për të bërë sa më shumë për njerëzit”, tha ai.

Refuzimin e Lulzim Bashës e lidhi sërish me kushtin e vendosur prej tij për bashkëpunim; distancimin nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Por, pse nuk ndahet dot Lulzim Basha nga Sali Berisha dhe Ilir Meta?

“Sepse është një kukull që kurdiset. Luli është një kukull edhe Spiderman edhe Barbi. Kur e kurdisin ata (Sali Berisha dhe Ilir Meta) bëhet Spidermen dhe i qepet murit të Kryeministrisë e thotë do ta heqim Edi Ramën me molotov. Kur e kurdisin atë bëhet Barbi”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë