Politike

Rama në takim me pensionistët: Po ju mbrojmë tek fatura e energjisë, protesta shëmton Shqipërinë, i pëlqen Rusisë

Në takimin me pensionistët mbi shtesën që ata do të përfitojnë, Kryeministri Edi Rama u fokusua përsëri tek protestat kundër rritjes së çmimeve në Shqipëri, duke i cilësuar si të turpshme.

“Është turp i pashoq atyre që i nxisin këto protesta. Turp për ata që e mbështesin. Është një protestë që i pëlqen Rusisë, sepse kjo është strategjia. Që të nxisin protesta ekonomike në vendet që mbështesin Ukrainën dhe të harrohet çfarë po ndodh atje”-tha Rama.

Ai përmendi dhe protestat e mëparshme, përfshirë ato të studentëve ku sipas tij, e ndihmuan qeverinë të fokusohej në tema që ishin me rëndësi, por jo në këtë rast.

“Kush i paguan faturat e fugonëve të protestuesëve që vijnë nga rrethet? Kjo protestë e shëmton Shqipërinë. Po nëse vazhdon me muaj e me vite rritja e çmimeve, do të hamë njëri-tjetrin në rrugë?”, pyeti kryeministri.

Rama përmendi protestuesit jelekverdhë në Francë duke i cilësuar ata si “të çmendur” dhe përsëri nuk kanë dalë në protestë sepse respektojnë viktimat në Ukrainë.

Kreu i qeverisë rishpjegoi skemën e rezistencës sociale, e cila mbështet mbi 400 mijë pensionistë sipas kategorive, pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët që trajtohen me pension invaliditeti, pensionistët që jetojnë vetëm dhe personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër. Po ashtu përfshihen dhe familjet në skemën ekonomike.

“Sipas Instat, shpenzimet e shportës janë rritur me 25 mijë lekë (të vjetra) dhe ne do të ofrojmë 30 mijë lekë ndihmë” tha Rama.

Sipas kryeministrit, pensionistët nuk paguajnë taksë nafte, por faturë energjie prandaj po sakrifikojnë naftën për energjinë, sepse “ku t’i gjejë qeveria lekët”, tha kreu i qeverisë.

Rama tha se 3.3 miliardë lekë do të jepen për indeksimin e pensioneve në masë 3.3% për 673,813 pensionistë. Sipas tij, 3 mijë lekë do të jepen për 3 muaj, për pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale; pensionistët që trajtohen me pension invaliditeti; pensionistët që jetojnë vetëm; për personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër. “Të gjitha familjet në skemë ekonomike”, tha Rama.

Rama sqaron dhe njëherë raportin midis konsumit dhe prodhimit vendas të energjisë dhe naftës, duke thënë se ne nuk prodhojmë dot aq energji sa konsumojmë dhe duhet të importojmë.  “Ne varemi nga Zoti për energjinë, nga shiu, por Zoti nuk prodhon energji, e prodhojnë hidrocentralet dhe nuk ia dalin dot të mbushin nevojat. Kur ka reshje ne detyrohemi të shesim energjinë, nuk e ruajmë dot sepse digat shkatërrohen dhe i gjithë Veriu i Shqipërisë do të zhdukej”,- tregoi Kryeministri.

Më tej ai tha se, pastrimi i naftës që nxirret nga Shqipëria kushton më shumë se sa ajo që importohet. Një tjetër problem është ai i mungesës së ofertës së saj në treg dhe bllokimit të kufijve të vendeve që e eksportojnë atë. Përveç naftës vlen dhe për lëndën e miellit, që sipas Kryeministrit këtu do të hyjë në punë Ballkani i Hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë