Politike

Rama nga Shëngjini: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje, se ju kap Kodi Penal

E kishte paralajmëruar më herët, por gjatë një vizite të zhvilluar në Shëngjin, Kryeministri Edi Rama e ka theksuar më shumë faktin se të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje të marrin masa tani, duke filluar t’i prishin vetë ndërtimet. Sepse, në të kundërt, këtë gjë do ta bëjë Policia e Shtetit duke filluar nga java e ardhshme.

“Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit”, shkruan Rama në Facebook

Më herët, Rama e sqaroi shkoqur gjatë vizitës së zhvilluar:

“Dua t’jua bëj shumë të qartë të gjithë zinxhirit, që nga inxhinierët tek punëtori më i fundit që përfshihen në këto ndërtime, me Kodin e ri Penal janë të gjithë pjesë e zinxhirit të fajësisë dhe përgjegjësisë se nuk mundet dot të thuash që unë jam një punëtor, më morën e nuk di çfarë bëj, se është njësoj si të thuash unë jam një punëtor, më morën të mbillja bar, por në fakt, unë mbillja kanabis. Është e njëjta gjë dhe të gjithë do të ndalohen e do të penalizohen.

Edhe më e rëndësishme është që kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këtij vendi. Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, është bërë çfarë janë bërë në të shkuarën, por nuk mund të lëmë që për arsye të situatave të komplikuara, tërmeti, pandemia e të tjera, të bubrrojë përsëri, nën vështrimin indiferent të disa strukturave dhe policisë që e kanë për detyrë, aktiviteti i paligjshëm. Është e pamundur, është e patolerueshme, është e pajustifikueshme.

SHÇBA-ja do i shkojë deri në fund kësaj pune, por njëkohësish dhe punonjësit e policisë duhet të jenë të mirëinformuar që njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kultivimin e lëndëve narkotike, edhe kjo ka një hartë, ka një përgjegjësi. Nëse në zonën tënde të përgjegjësisë ndodh një ndërtim pa leje, je ti përgjegjësi se këtu nuk bëhet fjalë për një aktivitet të shpejtë, por bëhet fjalë për struktura që ngrihen, për beton që hidhet e kjo do të thotë që ti je bashkëpunëtor në shumë raste”.

Pastrimi i gjithë bregdetit, sipas tij do të vijojë më pas më nje tjetër proces që lidhet me zonat e mbrojtura e akset kombëtare

“Unë dua që t’i jap një mesazh shumë të qartë të gjithë cenuesve të gjithë kësaj pasurie. Tërhiquni tani, përfitoni nga këto ditë për të hequr nga aty, atë që keni bërë. Me një kat, me dy kate, me 4 kate, në çfarëdo lloj situate që të jetë, do shembet. E jo vetëm që do shembet, por do mbani edhe pasoja.

Ligji detyron ata që ndërtojnë pa leje që të pastrojnë. Kjo gjë, gjithnjë është lënë pas dore. Natyrisht që nuk do i lëmë grumbullimet e inerteve aty, por ama kush nuk do t’i pastrojë vetë, do paguajë rëndë edhe koston e pastrimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë