Kryeministri Edi Rama thotë se po keqkuptohet gjatë kthimit të përgjigjeve që u jep ndjekësve të vet nëpër rrjetet sociale dhe përmes një shënimi të gjatë thotë se nuk do t’u kthejë më përgjigje qytetarëve në këto platforma.
“Për mua është respekt ndaj njerëzve të zakonshëm që t’u kushtoj kohë dhe energji opinioneve të kujtdo qoftë këtu, duke shfrytëzuar mundësinë e këtij rrjeti social dhe duke i kushtuar individëve të panjohur e pa asnjë status publik, një vëmendje shumë më të madhe se sa politikanëve, apo opinionistëve që e kanë për zanat sharjen, fabrikimin e “fakteve”, shfryrjen e mllefeve”, shkruan ai në një shënim të gjatë në Facebook me titull “Një keqkuptim i madh”.
“Po mbase jam unë gabim, përderisa disa këtu e shohin këtë përfshirje timen të drejtpërdrejt nëpër komente, si arrogancë, si karshillëk, si tallje e ku di unë çfarë tjetër. Për mua është krejt e kundërta, sepse një kryetar qeverie që nuk pyet për popullin, nuk respekton njerëzit apo aq më keq, tallet me opinionet e tyre, as nuk e merr kurrë mundimin të japë e të marrë me ta si i barabartë, siç bëj unë këtu prej kaq kohësh. Po ja që kjo përpjekje e imja ndeshet në një keqkuptim të madh nga ata që duan ta thonë atë që mendojnë, po nuk duan ta dëgjojnë të kundërtën nga unë, siç e dëgjoj unë prej tyre”, vijon ai më tej.
Rama kërkon bashkim përballë krizës së çmimeve, për të cilën fajëson luftën në Ukrainë.
“Është anormale ta mohojmë këtë fakt duke i kërkuar shkaqet e kësaj rritjeje kudo ku ato nuk janë. Po mbase jam unë krejt gabim që këmbëngul fort për të bindur me replika edhe ata që nuk duan të binden. Prandaj, shkurt fjala, duke u kërkuar ndjesë të tërë atyre që e kanë keqkuptuar ndërhyrjen time nëpër komente si mungesë respekti, ju informoj të gjithëve se nuk do të ndërhyj më”, thotë ai.
Rama këmbëngul më tej se që nga dita e parë që ka marrë detyrën e Kryeministrit, ka bërë dhe vazhdon të bëjë më të mirën për të mbrojtur qytetarët.
“Kam bërë e do të bëj çmos deri në fund t’ju mbroj nga fatkeqësitë natyrore, siç kam bërë e do të bëj deri në fund të bëj çmos për ta ngjitur këtë vend aty ku e meriton. Këtu jam dhe patjetër do të vazhdoj t’i ndjek komentet tuaja, por në heshtje, sepse shqetësimet tuaja janë ushqimi im me energji për të luftuar çdo ditë për ju. Përshëndetje të tërëve, sidomos atyre me të cilët kemi këmbyer replika dhe doni s’doni, në fund të fundit, ju dua shumë që të gjithëve”, shton ai.
Sharjet e mallkimet e qytetarëve në rrjetet sociale, thotë se i ka falur.
“Kam pranuar edhe sfidën e sharjeve, mallkimeve, përqeshjeve e akuzave nga më absurdet, vetëm e vetëm në respekt të të gjithë atyre që hyjnë, lexojnë e komentojnë këtu. Hallall të gjitha, për mua jeni të tërë shqiptarë, njerëz, pjesëtarë të së njëjtës familje të madhe pavarësisht bindjeve e dasive. Unë jam ky që jam, njëri nga ju, njësoj si ju, me bindjet e me të metat e mia”, thotë Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje