Kriza politike që ka pushtuar Tiranën dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duket se janë vetëm njëra anë e medaljes së trazirave politike që kanë pushatuar Ballkanin Perëndimor. Marshime anti-qeveritare janë bërë tanimë të përjavshme në Serbi dhe Mal të Zi, ndërkohë qe raportet nga Beogradi sinjalizojnë se Presidenti Aleksandër Vuçiç mund të shpallë dita-ditës zgjedhjet e parakohshme. Pakënaqësia është po aq e madhe edhe në Mal të Zi, kur pas gati tre dekadash në pushtet, Presidenti Milo Gjukanoviç po përballet me presion të pashembullt për t’u dorëhequr.
Protestuesit marshuan në Beograd të shtunën në mbrëmje duke mbajtur maska mjekësore në një kundërpërgjigje të ashpër ndaj presidentit Vuçiç, i cili u fotografua së fundmi në një spital duke mbajtur maskë në krah të një fëmije të sëmurë. Fotoja tërhoqi vëmendjen e rrjeteve sociale duke bërë që mijëra serbë ta akuzonin Vuçiçin për përdorimin e fëmijëve të sëmurë për qëllime politike.
Protestuesit përsëri i bënë thirrje Presidentit dhe qeverisë të udhëhequr nga Partia e tij Progresiste Serbe të jepnin dorëheqjen duke i akuzuar për ushtrimin e dhunës politike, korrupsion, kapjen e institucioneve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Serbi. Protestuesit të kërkuan gjithashtu dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë Zlatibor Lonçar.

Ndërkohë, presidenti ka filluar një fushatë nën moton “E ardhmja e Serbisë”, duke njoftuar se do të vizitojë të gjitha qytetet Serbisë. Shumë besojnë se ky tur është pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.
Mes protestuesve ishin këtë fundjavë edhe parlamentarë, këshilltarë lokalë të cilët kanë vendosur të mos marrin pjesë më në seancat parlamentare dhe dhjetëra kryebashkiakë. Protestuesit ngjitën postera në një tunel në qendër të kryeqytetit me deklaratat e rreme të Vuçiçit dhe premtimet e harruara nga qeveria e rij.
Protestat filluan më 8 dhjetor vitin e kaluar kur një politikan opozitar u sulmua në jug të vendit, duke bërë që qytetarët të ngriheshin fillimisht kundër dhunës së ushtruar nga shteti. Që atëherë janë përhapur në dhjetëra qytete, duke bërë që qytetarët të ngrihen për një sërë çështjesh të tjera.

Gati 280 kilometra më tutje, mijëra protestues nisën marshimin e tyre në Podgoricë, duke i bërë thirrje udhëheqësit të vjetër të vendit, Milo Gjukanoviç dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë të jepnin dorëheqjen.
Aktivistët e mbështetur nga partia opozitare pro-serbe dhe ruse në Malin e Zi po i bëjnë prej kohësh presion qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e liderëve më të lartë të vendit, duke filluar me presidentin Gjukanoviç.
Turma marshoi nëpër kryeqytet të shtunën me thirrjet “Milo është hajdut” dhe banderola kundër krimit të organizuar.

Protestuesit akuzojnë presidentin Gjukanoviç, i cili ka mbajtur pushtetin për pothuajse 30 vjet, se e ka udhëhequr vendin drejt varfërisë, shkeljes të të drejtave të njeriut, lirisë mediatike dhe korrupsionit sistematik.
Aktori Slavisa Grubisa iu drejtua turmës duke thënë se protestat janë nxitur nga korrupsioni në radhët e partisë qeverisëse. “Ata na detyruan të dilnim në rrugë”, u shpreh ai.
Përveç Gjukanoviçit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e Prokurorit të Lartë të Shtetit, Ivica Stankoviç dhe kryeprokurorit të krimit të organizuar Milivoje Katniç. Ata akuzojnë zyrtarët e lartë malazez për shpërfilljen e provave dhe moszbatimin e ligjit kundër korrupsionit dhe lidhjen e partisë së Gjukanoviçit me bandat e krimit të organizuar.

Protestuesit marshuan edhe para zyrave të televizionit kombëtar malazez dhe kërkuan raportim profesional dhe të drejtë. Protesta e së shtunës ishte e treta e mbajtur këtë muaj në Podgoricë, dhe vjen pas publikimit të disa dokumenteve që duket se implikonin zyrtarët më të lartë të shtetit në dhënien e fondeve të dyshimta për partinë qeveritare, DPS-së.
Në fakt kjo revoltë nisi në vitin 2016, kur një video e publikuar në mediat fqinje tregonte Dushko Knezeviçin, kreun e kompanisë Atlas, të vendosur edhe të Shqipëri, duke i dhënë kryetarit të atëhershëm të Podgoricës një zarf me 100,000 euro për të financuar një fushatë zgjedhore të DPS-së. Knezeviç, i cili tani besohet të jetë në Londër, konfirmoi për mediat disa ditë më parë se ai kishte financuar në mënyrë sekrete fushatat politike të DPS-së për 25 vitet e fundit.

DPS-ja dhe Gjukanoviç e kanë mohuar duke këmbëngulur se të gjitha donacionet janë të regjistruara në regjistrat financiare të partisë. Që nga ajo kohë, autoritetet po hetojnë Knezeviçin për akuzat për pastrim parash.
Në një tjetër video që doli në dritë në fillim të shkurtit, një zyrtar të lartë i bankës qendrore shfaqej duke kërkuar ryshfet për të mos dërguar inspektorë në një nga bankat e Knezeviçit. Po ashtu mendohet se biznesmeni i njohur, i cili ka lidhje të fuqishme edhe në Shqipëri, ka mundësuar financimin e udhëtimeve luksoze të Gjukanoviçit jashtë vendit në hotele me pesë yje dhe shpenzimet të tij personale.
Organizatorët e protestës thanë se qëllimi i tyre është të luftojnë “amnezinë kolektive” në vend pasi shumë çështje të tjera të korrupsionit kaluan pa ndjekje penale.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga korriku 2017 dhe është kandidat për anëtarësim në BE. Por qeveria e Podgoricës akuzohet vazhdimisht për lidhje me krimin e organizuar. Kohët e fundit edhe Brukseli ka kërkuar rezultate më konkrete në luftën kundër korrupsionit në një nivel të lartë politik si një nga kushtet kryesore për të bërë përparim drejt anëtarësimit në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje