Kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin se nuk do të ulë, apo heqë asnjë taksë nga nafta.
“Ne nuk jemi këtu të ulim naftën për ata që duan të furnizojnë të fuoristradat dhe X5 për të bllokuar rrugët, e atje dhe për t’i mbajtur njerëzit në rrugë në këtë kohë lufte, për turpin e dheut, ndërkohë që e gjithë bota del në protesta për t’u solidarizuar me ata të shkretët që i kanë bombat mbi kokë. Këtu janë disa që dalin me makina X5 dhe bëjnë protesta me drita iPhonësh. Nuk kanë pensionistët drita iPhone dhe nuk kanë X5. Ata që kanë mundësi më shumë do të paguajnë më shumë. Në këtë kohë është koha për t’u ndjerë mirë, që paguan më shumë kur ke më shumë. I vetmi vend i NATO-së që del në protestë për rritjen e çmimeve nga lufta në Ukrainë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal në një takim me punonjës të një biznesi, ku shpjegoi edhe njëherë masat e ndërmarra si pjesë e paketës së rezistencë sociale.
“Zerimi i taksës mbi pagat deri 40 mijë lekë të rinj dhe përgjysmimi i saj mbi pagat deri 50 mijë lekë të rinj, hyjnë në fuqi në prill. Kemi gati 20 miliardë lekë të rinj, ose 200 milionë USD për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla”, thotë ai.
Rama prezantoi të shtunën shtatë masat e ndërmarra për të mbrojtur shtresat më vulnerabël të shoqërisë nga rritja e çmimeve. Masat përfshijnë indeksim të pensioneve, mbështetje me 3 mijë lek në muaj për pensionistët që marrin më pak se 15 mijë lek në muaj dhe pensionistët e vetmuar dhe të gjitha familjet në ndihmë ekonomike.
Po të shtunë, Rama tha se ulja, apo heqja e taksave është e pamundur në këtë situatë për shkak të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Ai deklaroi se aktualisht Qeveria mbulon 80 për qind të faturës së energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje