Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, Sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso dhe ai për Pushtetin Vendor Ylli Asllani dolën në një konference për shtyp për dy reforma të rëndësishme ajo territoriale dhe zgjedhore përfaqësimin në të cilat tek komisionet respektive ata e kanë në minorancë nisur nga konfliktet e brendshme të partisë. Në komisionin e reformës territoriale marrin pjesë deputetët e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ndërsa tek reforma zgjedhore Rithemelimi ka përfaqësim vetëm me Oerd Bylykbashin
Bylykbashi tha se nuk do të ketë një reformë territoriale ngritur mbi pazare dhe kujtoi se për miratimin e saj duhen 94 vota, që, sipas tij, PD (apo pjesa e Rithemelimit) nuk do t’i japë në Kuvend.
Të tre zyrtarët demokratë nuk dhanë një projekt konkret se si duhet bërë reforma territoriale por këmbëngulën se ata do ta kanë gati projektin pas konsultimit me qytetarët.

“Dua ta them që në fillim se Reforma Territoriale ka dështuar që në vitin 2018.
Ajo që ne dimë sot është që është larguar pushteti zgjedhur nga qytetarët, pushteti tashmë është centralizuar.
Partia Demokratike e ka denoncuar këtë aferë. Partia Demokratike ka mendim të qartë për të marrë pjesë dhe për të bërë më të mirën.
Gjithashtu në kuadër të sekretariatit për pushtetin vendor është ngritur sekretariati në çdo rreth ku do të mbledh kontributin e të gjitha viteve që Partia Demokratike ka pasur në reformën territoriale.
Reforma territoriale është një instrument që nuk duhet humbur, sepse diçka e bërë keq për interesa të vogla politike sjell pasoja të rënda më pas.
Kemi shpërndarë një pyetësor për të mbledhur mendime në çdo anë përsa i përket kësaj.
Kemi kapacitetet për të çuar një Reformë Zgjedhore, pas rreth 9 muajsh do të jenë edhe zgjedhjet vendore.
Theksoj se ky do të jetë një vendim politik, që do të ketë mbështetjen politike.
Nuk do të jetë një reformë false si ajo e vitit 2014, por një reformë territoriale e pushtetit vendor afatgjat”, tha Bylykbashi.
Ai nënvizoi disa herë gjatë konferencës për shtyp se reforma territoriale duhet të jetë konsensuale dhe e bazuar mbi konsultime parimore dhe jo mbi pazare.

Ivi Kaso kaloi në detaje më konkrete kur tha se për reformën zgjedhore PS-ja i ka idetë e qarta për të ndryshuar Kushtetutën me qëllim të favorizohet në zgjedhjet e ardhshme.
Kaso nënvizoi se mazhoranca synon të fusë implementimin e primit në sistemin elektoral shqiptar. Që, sipas tij, do të thotë se partia më e votuar në zgjedhje merr bonus duke e marrë pushtetin në tavolinë.
“… Mazhoranca e ka shprehur preferencën e saj për ta prekur Kushtetutën. Nuk duam që rajonet e famshme dhe që janë prioritet i tyre në reformën territoriale të shndërrohen në kalin e trojës për të prekur kushtetutën dhe për të vendosur primin çka do të thotë pushtet pa votë. Dhënia në tavolinë e primit, pushtetit pa votë nga zgjedhësit, do të ishte atentati i fundit që do t’i bëhej sistemit…” tha Kaso.
Për të kaluar tek ajo që më pas e theksoi Bylykbashi tek pamundësia që ka Rama për të bërë 94 vota edhe pse la të kuptojë se po bëhen pazare nga mazhoranca me pjesë brenda opozitës.
“Për të bërë ndryshime të rëndësishme për qëllime kryesisht të pushtetit vendor duhen 94 vota, duhet konsensus i rëndësishëm politik. Rama po përpiqet që të bëjë pazar por ne jemi aty jo vetëm për ta denoncuar dhe bllokuar por edhe përmes propozimit tonë kjo të bëhet e vështirë dhe e patretshme politikisht për mazhoracën, duhet konsensus sigurisht”, tha ai.
Bylykbashi kujtoi gjithashtu se koha që PS-ja ka lënë në dispozicion për reformën territoriale është fundi i shtatorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje