Politike

Rama për protestat: Edhe Kremlini nuk do t’i organizonte dot më bukur

Kryeministri Edi Rama këmbëngul se protestat kundër rritjes së çmimeve që kanë përfshirë Shqipërinë këto ditë çojnë ujë në mullirin e Vladimir Putinit.

“Më mirë dhe më bukur nuk i organizonte dot Kremlini këto protesta. Të bësh punën e dikujt tjetër, në këtë rast të armikut të demokracisë, për të luftuar qeverinë tënde, këtu në Shqipërinë tonë të vogël”, u shpreh Rama.

“Nuk mund të jemi ne shqiptarët kaq të dobët sa të jemi të parët që të protestojmë kundër rritjes së çmimeve, në një kohë që të tjerët protestojnë kundër luftës. Të dalësh sot në protestë është t’i bësh duvanë Kremlinit. Asgjë tjetër!”, vijoi ai.

Kryeministri mori pjesë në një takim me biznesin e vogël për të shpjeguar paketën e rezistencës sociale. Ai përsëriti se sot nuk është vetëm çmimi i lartë i energjisë në treg, por edhe mungesa e produktit.

“Edhe në takimet që patën me Princin e Kurorës në Dubai këshilla që morëm ishte që të fokusohemi te mundësia që produkti të mungojë, jo të çmimi. Shqetësimi është real, që mungesa mund të vijë”, tha ai.

Rama tha se Qeveria mbulon mbi 80 për qind të faturës së energjisë elektrike për biznesin e vogël, ndërsa njoftoi edhe masat që janë marrë për lehtësime të tjera për këta biznese dhe punonjësit e tyre.

“Zerimi i taksës mbi pagat deri 40 mijë lekë të rinj dhe përgjysmimi i saj mbi pagat deri 50 mijë lekë të rinj, duke filluar nga prilli. 32 mijë lekë të rinj bëhet paga minimale për efekt të kontributeve shoqërore. 28 miliardë lekë të rinj ose 200 milionë USD për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike, në faturat e bizneseve të vogla dhe konsumatorëve familjarëve”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë