Politike

Rama për protestat: Si mund të bëhesh vegël e një interesi tjetër për turpin tënd?!

Në një bashkëbisedim të fundit me qytetarët, kryeministri Edi Rama është shprehur se qeveria që ai drejton është angazhuar të kujdeset për njerëzit në krizë, duke mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë.

Rama vazhdon t’i konsiderojë të turpshme protestat e qytetarëve për rritjen e çmimeve dhe se ato i shërbejnë vetëm Putinit në këtë moment.

“Kur qeveria vetëm pak ditë pasi ndeshet si e gjithë bota me befasinë e kësaj lufte del e thotë se do t’ju njohim me masat që do të marrim, çfarë nguti ka për të marrë rrugët? Për të investuar para në internet, që të derdhet sa më shumë helm, të përhapet sa më shumë panik dhe të krijohet një re e zezë pasigurie dhe mërzie mbi renë e krijuar nga kjo situatë. Asnjë qëllim tjetër. Nuk ka asnjë lidhje me popullin, pensionistët që ua qajnë hallin me demek ata që dëmtojnë Shqipërinë.

Më alarmon cënimi i drejtpërdrejtë i dinjitetit tonë si komb, si shtet, si popull, si shoqëri. Siç premtuam edhe bëmë. Spostuam volum finance nga buxheti i shtetit drejt njerëzve për të vazhduar të mbajmë pa lëvizur energjinë. Se çfarë mbështetje më të madhe mund të japë qeveria se sa që të gjithë këtë krizë të madhe energjie, që po quhet pandemi e re për botën, të mos lejojë të kalojë pragun tuaj.

Veç kësaj, qeveria ka detyrën të garantojë shportën. Kjo është situatë lufte, që nuk e dimë se sa do të zgjasë. Pyetja që i bëj vetes është: për kaq pak ditë vetëm nga shfaqja e çmimeve alarmante u krijua ky panik, por për muajt në vazhdim, por nëse situata shkon në ato pikat që janë dhe skenarët e botës që të mungojë nafta, energjia, të mungojnë një seri produktesh të tjera? Çfarë bëjmë ne këtu? Kaq pak jemi ne, nga pikëpamja e forcës sonë të karakterit? Kaq të humbur jemi ne? Jo nuk është kështu.

Këta janë një pakicë e pakicës, që po kërkojnë me çdo çmim të instrumentalizojnë një dynja të tërë, duke treguar gjëra nga më të paturpshmet. Është paturpësi t’u përsërisësh shqiptarëve që ne e kemi energjinë, është thjesht çështje se këta, dmth qeveria, dhe ky lubia, dmth unë, të mos e vjedhë. E shesin lire, sepse marrin pjesën e tyre dhe e blejnë shtrenjtë, sepse marrin pjesën e tyre. Kjo është kriminale dhe si kjo janë shumë të tjera, për naftën, monopolet, oligarkët.

Një çmenduri. Edhe abazhuri tim këtu del në sfondin e kësaj lufte si një shpenzim i çmendur, me një çmim të çmendur. Na del që është prej floriri i blerë nga unë, që më kujton ose të kujton disa video të bëra nga kanalet e propagandës ruse marrë nga video komplet të tjera.

Për t’i treguar njerëzve një realitet tjetër. Del abazhuri si një prove, që ky është i shkëputur nga realiteti dhe e ka mendjen te luksi. Abazhuri këtu, i sjellë nga italianët, kur morën godinën, është më i shtrenjtë se sa çmimi që ka dalë aty, sepse është një objekt shumë i çmuar. Por s’e kam blerë unë, ky abazhur ka qenë mbi kokat e gjithë kryeministrave që kanë qenë këtu, përfshirë edhe një ‘non gratë’ që do ta bëjë Shqipërinë ‘non grata’ në sytë e opinionit shqiptar. Bashkë me një ‘non grata tjetër’, mikun e tij të pashpallur.

Kam lexuar një mesazh që më ka ardhur para 2 ditësh nga Brukseli, nga dikush në një instancë të caktuar ku thotë: ‘A keni informacione kush qëndron pas këtyre protestave në Tiranë? Është legjitime t’i bëhet presion qeverisë, Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe është gati ‘de facto’ në luftë me Rusinë. Rusia ka shpresa të mëdha te protestat ekonomike.

Absolutisht që nuk po diskutoj këtu që i ka nxjerrë në luftë Putini, por po them se si mund të bëhesh vegël e një interesi tjetër për turpin tënd dhe turpin e të gjithëve. Një gjë dua të them: nëse do të isha një person i painteresuar se çfarë mendojnë njerëzit, nëse do të isha arrogant që nuk dua ta di për njerëzit, nuk do të isha kurrë në komunikim te komentet që bëjnë ata”, – tha kryeministri Rama në fjalën e tij


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë