Politike

Rama përfshiu Ilir Metën në paktin e 2009-ës për detin, Presidenca: Ishte në opozitë

gazetasi

Presidenca ka reaguar në lidhje me deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, që në konferencën për shtyp të kësaj të marte përfshiu edhe Ilir Metën si aktor në marrëveshjen e detit të nënshkruar në 2009-ën mes Shqipërisë dhe Greqisë, e që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

“Asnjë surprizë nga Mister 1 Prilli, i cili vërtetoi edhe njëherë sot, para të gjithë shqiptarëve, se është një mashtrues ordiner, i cili gënjen pa hapur gojën, lëre më kur flet. Mister 1 Prilli pretendoi sot se Ilir Meta ka qenë një nga hartuesit e marrëveshjes për delimitimin e hapësirës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. I kujtojmë këtij mashtruesi të pështirë se marrëveshja u nënshkrua në Tiranë në 27 prill 2009. O tyç gënjeshtar, më 27 prill Ilir Meta ka qenë në opozitë”, shkruan në rrjetet sociale zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.

Rama tha më herët se çështjen e detit e hapi ai dhe Partia Socialiste me padinë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen e 2009-ës. Ai tha se për Greqinë ajo marrëveshje ishte në rregull.

“Çështjen e detit e ka hapur Shqipëria dhe jo Greqia, për këtë të fundit ka qenë e mbyllur për marrëveshjen e bërë me Saliun, Lulin dhe Ilir Metën, nuk ka pasur asnjë pretendim më shumë sesa aq sa mori nga ajo marrëveshje. Atë e hapa unë me PS kur ishim në opozitë dhe aleatë, në Gjykatën kushtetuese ka shkuar PS, 9-0 Gjykata e rrëzoi me kërkesë si paditës të PS dhe çështja është rihapur falë këmbënguljes, durimit dhe vullnetit tonë në komunikimin me palën tjetër”, deklaroi Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë