Kryeministri Edi Rama i lëshoi një paralajmërim presidentit Ilir Meta, por duket se fjalimi i tij ishte zbutur, pasi dy orë para seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e Fatmir Xhafajt, kreu i shtetit dekretoi emërimin e Helidon Bendos, në krye të SHISH, dekret të cilin e mbante prej 1 viti në tryezë.
“Shumë nga ne në sallë kemi votuar për Ilir Metën si President. Atë ditë nuk e kishim shumicën absolute që kemi sot, por unë e kisha bindjen e plotë se Ilir Meta ishte kandidatura më e përshtatshme në rrethanat kur duhet ta zgjidhnim Presidentin e shtatë të Republikës. Që kur hyri në Presidencë pas dalldisjes fatkeqe me flamurin e LSI-së, e ka justifikuar plotësisht votën tonë: ka respektuar Kushtetutën dhe ka peshuar fjalën. Por, qysh prej të shtunës mbrëma kemi një problem me Presidentin të krijuar nga Presidenti”, tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama, Kushtetuta nuk i njeh presidentit kompetencën për të refuzuar dekretin për ministrat.
“Nuk e ka të drejtën askush që të na pengojë në ushtrimin e mandatit tonë kushtetues. Puna jonë është të hartojmë dhe miratojmë ligje dhe të qeverisim deri kur të kemi besimin e 71 deputetëve që e mishërojnë dhe ushtrojnë vullnetin e sovranit. Ne kemi detyrën ta bëjmë këtë punë, pavarësisht nëse e kemi besimin e presidentit. Kushdo ka të drejtën e vet që të mos na besojë, të hidhet edhe përpjetë, kjo vlen edhe për presidentin. Të 12 kompetencat e presidentit, ndër to nuk figuron kompetenca e refuzimit të kryeministrit dhe po njësoj të ministrave që gëzojnë besimin e kryeministrit. Kushtetuta nuk i njeh presidentit kompetencën për të refuzuar dekretin për ministrat. Letra e Metës që më ka ardhur të shtunën mbrëma.
“Kthim përgjigje për emërimin e Sandër Lleshajt. Zoti kryeministër në përgjigje të shkresës suaj; u bëj me dije se Presidenti i Republikës nuk krijoi bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës Sandër Lleshajt për ministër të Brendshëm, por nuk thotë ku mbështetet. Në këto kushte Presidenti nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht propozimit tuaj”, lexoi Rama letrën e Metës.
Unë presidentit i kam çuar dekretin për një ministër, dhe jo një kandidat. Ai ka detyrën ta miratojë. Pra presidenti, përveç 12 kompetencave, ka edhe detyra si, për shembull për të dekretuar sipas kërkesës së kryeministrit”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Rama tha se askush nuk mund të na bllokojë, ndërsa këtë që ka ndodhur me presidentin e cilësoi krisje kushtetuese.
“Do bëjmë çmos që krisja mos jetë në thyerje. Por nuk është fundi i botës dhe unë refuzoj që të them fjalën e fundit”, paralajmëroi me tone të qeta Rama.
Sa i përket figurës së Sandër Lleshit, kryeministri u shpreh se ai është njeriu i duhur në vendin e duhur.
“Sot votojmë shkarkimin e Xhafajt, më pas vendosim në qeveri ministrin e Brendshëm dhe do i japim ca ditë kohë jo vetëm presidentit që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindjen e plotë, por edhe vetes për të hedhur hapin tjetër. 7 ditët e pamjaftueshme që mori presidenti, mua më tepruan që Lleshi është njeriu i duhur, që vjen në kohën e duhur dhe gjendet në vendin e duhur si përfaqësues i shumicës së duhur”, përfundoi kryeministri.
Kuvendi votoi me 75 vota pro dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm.
Votimi erdhi pas fjalës që kryeministri Rama mbajti në Kuvend ku deklaroi se prej të shtunës me presidentin Meta ka një problem. Bëhet fjalë për mosdekretimin nga Meta të gjeneral Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.
Ditën e djeshme grupi parlamentar i PS me dakordësi të plotë ka miratuar që Sandër Lleshi të mbajë postin e zv/ministrit të Brendshëm, por me kompetencat e ministrit, pasi Presidenti Meta nuk dekretoi emrin e tij në krye të këtij dikasteri.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama e quajti “shkelje kushtetuese” nga ana e presidentit Meta mosdekretimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje