Politike

Rama publikon deklaratën e regjisorit të njohur: Teatri, turp!

Kryeministri Edi Rama vazhdon të reagojë për çështjen e Teatrit. Pas situatës së agravuar për moshembjen e tij, kreu i qeverisë ka nisur të shpërndajë deklarata të artistëve, të cilët mendojnë se godina e Teatrit Kombëtar duhet të shembet.
Ditën e sotme, Rama ka shpërndarë në “Facebook” deklaratën e regjisorit Mihallaq Luarasi, i cili shprehet se ky teatër është i pandreqshëm dhe është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë.

“Mihallaq Luarasi, regjizori i famshëm i Teatrit Kombëtar, u kthye në shënjestrën e pamëshirshme të diktaturës komuniste, gjatë gjuetisë së egër të shtrigave që Enver Hoxha shpalli në vitet ‘70, kundër artit e kulturës së degjeneruar perëndimore. Ai u linçua publikisht nga vetë diktatori komunist dhe u cfilit burgjeve, duke hyrë në librat e gazetat e propagandës enveriste, si një dele e zezë e regjimit totalitar. Ai sot nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij për Teatrin Kombëtar”, shkruan Rama në “Facebook”.

MIHALLAQ LUARASI:

Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri.

Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar.

https://www.facebook.com/edirama.al/photos/a.10151850199621523/10156865781071523/?type=3&theater

Një ditë më parë, kryeministri Rama publikoi mesazhin e aktorit të madh, Ndriçim Xhepa, i cili ishte i po të njëjtin mendim se Teatri Kombëtar duhet të prishet dhe të ndërtohet një godinë e re.
Ditët e fundit situata për Teatrin agravoi tej mase pasi godina u rrethua nga forcat policore për ta shembur e nga ana tjetër janë artistët që nuk e lejojnë një gjë të tillë. Po ashtu edhe Partia Demokratike ka dalë në krah të artistëve, dhe siç duket e ka kthyer çështjen e Teatrit në një kauzë të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë