Politike

Sherri në distancë Rama-Basha. Kryeministri: Përkthyes i Dick Martyt! Kreu i PD: Përballu me Covid

Kryeministri Edi Rama përsërit pyetjen drejtuar Sali Berishës dhe Ilir Metës se përse e votuan pro raportin e Dick Martit në Këshillin e Europës, ndërsa Lulzim Bashën e përfshin në raportin për Shtëpinë e Verdhë.

Rama e vlerëson sajesë raportin e Dick Martit në lidhje me Shtëpinë e Verdhë. Sipas këtij raporti Shtëpia e Verdhë, që ndodhej në zonën e Matit kryhej trafik organesh gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri nënkupton se Lulzim Basha është përfshirë tërthorazi në këtë raport të sajuar.

“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Një ditë më parë, Kryeministri postoi po në rrjetet sociale pyetjen drejtuar Berishës e Metës, ndërsa Bashën e ngacmoi duke e pyetur nëse “kishte gjë për të thënë, apo nuk ja lejonte sekreti hetimor”.

Basha iu përgjigj duke i cilësuar shpifje dhe lojëra politike për të tërhequr vëmendjen nga kriza në sistemin shëndetësor si pasojë e Covid.

“Edi Rama leri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, tha Basha.

Rama nga ana tjetër iu kundërpërgjigj duke akuzuar kreun e PD se po fshihet pas Covid për tëhequr vëmendjen nga roli që ka pasur në hartimin e raportit për Shtëpinë e verdhë.

“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë!E thuaje cfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty, tha Kryeministri.

Basha e akuzoi si zëdhënës të Beogradit.

“Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë”, deklaroi ai.

Më tej, kreu i PD-së thotë se Rama po përpiqet që të shmangë përgjegjësinë dhe përgjigjen për pyetjet që vërtet shqetësojnë shqiptarë.

“Të gjithë e kuptojnë se ti gënjen e shpif vetëm për të larguar vëmendjen nga pyetjet që ju interesojnë vërtet qytetarëve: Pse qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID si rezultat i dështimit tënd? Pse spitalet janë mbushur plot dhe të sëmurët dergjen në ambulanca dhe korridore?”, thotë Basha.

Rama iu kundërpërgjigj duke rikujtuar se Partia Socialiste votoi kundër raportit të Dick Martyt dhe përforcoi dyshimin se Basha ka marrë në pyetje shqiptarët për llogari të Dick Martyt.

“Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulēzim, thuaje të vërtetën!”, thotë Rama.

Më tej, Kryeministri thotë se Basha është kujdestari i maskuar i Shtëpisë së Verdhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë