Politike

Rama rikonfirmon se Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë, por shtyhet për në vjeshtë (data nuk është caktuar ende)  

Nga Podgorica ku u zhvillua mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri-Mali i zi, Kryeministri Edi Rama është shprehur përmes një konference për shtyp të mbajtur me homologun malazez, Dritan Abazoviç, se Ballkani i Hapur është një projekt që ka jetësuar dhe përshpejtuar Procesin e Berlinit.

Rama i është rikthyer kësaj teme, duke përcjellë një qëndrim të përbashkët për këtë çështje edhe me kryeministrin e Malit të Zi.  

“Kur ishim në Berlin në procesin e Berlinit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut rifirmosën gjëra që i kishin firmosur më parë. Unë nuk pashë aty asnjë marrëveshje të re. Nuk di asnjë marrëveshje të Ballkanit të Hapur që nuk është në Procesin e Berlinit. Pse deri kur nisi Ballkani i hapur nuk ishte realizuar asnjë marrëveshje? Pse procesi u përshpejtua? Sepse për këtë është Ballkani i hapur. Kush do të shohë në këtë proces kinezë, rusë apo marsianë, le t’i shohë, nuk është problem”, tha Rama.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Kryeministri malazez Abazoviç.

“Ne kemi marrë pjesë në samitin e mëparshëm. Çdo bashkëpunim rajonal i shkakton paqes dhe stabilitetit dhe nuk ka dhimbje koke për këtë. Dhimbje kohe do të kishim vetëm nëse do të ndodhte e kundërta. Për rajonin dhe Malin e Zi po vijnë ditë më të mira. Të kaluarën nuk e ndryshojmë dot por mund të bëjmë këtë gjë me të ardhshmen”, tha Abazoviç.

Rama rikonfirmoi se në Tiranë do të mbahet samiti i Procesit të Berlinit, por nuk dha datë. Rama tha se periudha më e mundshme është vjeshta.

“Kemi parë se si më në fund Bashkimi Evropian është bërë më i ndjeshëm për rajonin, Shqipëria dhe Maqedonia e veriut hapën negociata, Kosova mori një datë për liberalizimin e vizave, Bosnja mori statusin kandidat apo ashtu si u mbajt për herë të parë një samit i BE në Tiranë apo në Mal të Zi një tjetër samit. Të gjitha këto janë pozitive por BE është një korsi e përbashkët. Unë dëshiroj ta falënderoj Kryeministrin për angazhimin e tij në vetë të parë për të gjithë këtë proces, ashtu sikundër dëshiroj ta falënderoj edhe për shprehjen e dëshirës për të organizuar një samit të Ballkanit të Hapur në qendër këtu në Mal të Zi, ndërkohë që procesi i Berlinit do të ketë samitin e vet në Tiranë në fillim të vjeshtës, data do të përcaktohet në takimin që do të kem me kancelarin Scholtz së shpejti në Berlin”, tha Rama.

Ndërkohë, më herët, gjatë samitit që u mbajt në Tiranë në fillim dhjetori, Rama tha se Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahej në pranverë.

“Jemi krenar dhe të lumtur që na është kërkuar nga partnerja dhe mikja jonë e madhe Gjermania, që pranverën e ardhshme të mikpresim Samitin e Procesit të Berlinit. E shohim si shprehje vlerësimi dhe respekti për atë çka Shqipëria po bën vazhdimisht për të promovuar në mënyrë aktive bashkëpunim rajonal, paqen dhe dialogun, lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, ndërveprimet midis njerëzve dhe bizneseve nga të gjitha vendet tona…”, është shprehur ndër të tjera Rama


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë