Kryeministri Edi Rama u shfaq jo fort i kënaqur nga komentet e shumta adresuar në faqen e tij në Facebook lidhur me masat shtrënguese nga ana e qeverisë.
“Lexoj dhe dëgjoj shumë që flasin se bota u hap, vetëm ne jemi të mbyllur. Nuk është e vërtetë fare. Kam folur sot me kryeministrin e Danimarkës, gjer e gjatë. E njëjta gjë, të njëjtat dilema dhe e njëjta vështirësi në raport me vendimarrjen. Nëse lufta merr për keq, përgjegjësinë e mbajnë ne, liderët jo ata që flasin përçart.
Këtu nuk luhet dot me zjarrin, nuk vihen dot baste. Nuk bëhet ‘hape mo hape’ të dali ku të dali. Këtu nuk bëhet as me ligj, as kontrollet, as ushtria po të doni, nëse nuk jeni ju rojet e shëndetit tuaj dhe familjes tuaj. Në thelb dënglat dhe dokrrat më shqetësojnë për një arsye; Kam frikë nga papërgjegjësia dhe injoranca që mund të marrë në qafë të paditurit dhe familjen e tyre…”, komentoi Rama.
Kryeministri kujtoi se virusi do të qarkullojë dhe do të jetë mes nesh deri sa të dalë vaksina.
“Harrojeni se mua më pëlqen dhe më vjen për mbarë t’ju kujtoj kufijtë e lëvizjes, t’ju informoj se ndalohet lëvizja këtu dhe nesër atje dhe të flas për deformimin e lirive të tuaj, përkundrazi, kjo është periudha më e vështirë e jetës sime dhe përballja më e zakonshme me vendimet më të vështira dhe më të sikletshme…”, tha ai
“…Nëse do më thoshin që ik nga kjo zyrë se po ike ti, COVID do iki, unë tani do isha duke ju dhënë lamtumirën, me lumturinë më të madhe. Unë po bëj më të mirën time…Tani që po hapemi, nëse nuk do jeni roje të vetes dhe familjes, unë nuk do mundem t’ju mbroj më jetën dhe shëndetin. Ju lutem kjo nuk është lojë, nuk është me të ‘dalim ku të dalim”, vërejti ai.
Rama përmendi edhe rezultatet e deritashme. Sipas tij, jemi vendi me numrin më të ulët te vdekjeve në Europë për 1 milion banorë, vendi me numrin më të ulët të shtretërve të zënë në spitalet COVID, dhe vendi me numrin më të ulët të përdorimit të respiratorëve.
“Si mendoni ju, s’kanë lidhje këto rezultate me gjithçka kemi bërë, me këto masa që kemi marrë me masat në kohën e duhur e gjatësinë e duhur pa shkelur në asnjë dërrasë të kalbur?”, komentoi ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje