Në pyetjen e fundit që gazetarët i drejtuan kryeministrit Edi Rama pas takimit të këtij të fundit me drejtuesit politik në qarqe, kryeministri i vendit tha se projektligji anti-shpifje do të kalojë në Kuvend sapo të jetë plotësuar me rekomandimet e Venecias.
“Ai ligj do të kalojë në Kuvend sapo të jetë përfunduar rekomandimi i Komisionit të Venecias”, tha Rama.
Pak muaj më parë, përmes një raporti, Komisioni i Venecias rekomandoi të rishqyrtoheshin amendamentet e draftit për median. Raporti nënvizonte se paketa ligjore ishte e paqartë dhe mund të ketë efekte frenuese në drejtim të fjalës së lirë. Kritika kishte edhe në raport me gjobat e larta në rast shkeljesh, për mediat online.
Ndryshimet e këtij ligji u bënë pjesë edhe e progres-raportit për Shqipërinë ku ndër rreshta thuhej se kjo paketë nuk është në standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngre shqetësime lidhur me rritjen e censurës dhe vetëcensurës.
Vetë Rama tha se nuk e kishte lexuar ende progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
“Për hir të vërtetës nuk e kam lexuar ende progres-raportin sepse kam qenë i angazhuar gjithë ditën me shumë punë të tjera. Nesër pres komisionierin ku do të diskutoj gjerë e gjatë. Progres raporti është një pasqyrë krejt e ndryshme nga pasqyra që përpiqen t’u vënë përpara shqiptarëve ata që flasin në emër të Evropës por ndërkohë kanë hesapet e luftës së ethshme për pushtet në radhët e opozitës. Edhe deklarata e BE lidhur me reformën zgjedhore ishte krejt e kundërta, ndryshe nga se u tha dhe u opredikua duke paralajmëruar re të zeza mbi Shqipërinë dhe duke hedhur një helm dhe një tym që ta kapi kush ta kapi për të shkuar pas atyre që duan t’i çojnë njerëzit në rrugët e tyre qore në përpjekjet për pushtet, që nuk do t’u dali gjëkundi”- tha Rama
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje