Një ditë pas betimit të Presidentit të ri të vendit dhe largimit nga Presidenca të Ilir Metës, Edi Rama ka vendosur të bëjë ndryshime në Qeveri.
Rama ka larguar nga kabineti një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë që prej tërmetit të 2019-s, Arben Ahmetajn. Ahmetaj është larguar si nga posti i ministrit të Rindërtimit, ashtu edhe nga ai i zv.Kryeministrit.
Kreu i Qeverisë i arsyeton ndryshimet në kabinet me ndryshimin e prioriteteve, që tashmë janë negociatat jo rindërtimi dhe në vend të Ahmetajn emëron Majlinda Dhukën, që veç Ahmetajt do të zëvendësojë edhe Zef Mazin si kryenegociator në bisedimet me BE.



“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore & Ministre Shteti pranë kryeministrit”, njofton Kryeministri.
Majlinda Dhuka ka mbajtur postin e shefes së Departamentit për Zhvillimin dhe Mirëqeverisjen në Kryeministri.
Arben Ahmetaj udhëhoqi procesin e rindërtimit, i kritikuar edhe në raportet audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit për mungesë transparence. Gjithashtu, ministria e tij u caktua edhe në grupin e institucioneve, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik për të negociuar marrëveshjet për vaksinat anti-Covid.
Ndryshimi tjetër është emërimi i Belinda Ballukut si zv.Kryeministre. Rama e arsyeton me nevojën për të përballuar sfidën me energjinë elektrike.
“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre”, shkruan ai.
Rama falenderon Arben Ahmetajn dhe Zef Mazin.
“Për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”, njofton Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje