Qeveria shpalli gjendjen e emergjencës energjitike në mbledhjen e jashtëzakonshme që mbajti këtë të premte për të reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga rritja e çmimeve në tregjet bërthamore.
“Kemi pasur një mbledhje jashtë rendit për të marrë një vendim, për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në përfundim të mbledhjes.
Por, çfarë do të thotë gjendja e emergjencës energjitike?
“Situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë na detyron që të shpallim gjendjen e emergjencës së furnizimit, që i jep Qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me instrumente të natyrës administrative. Sot, me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballur këtë situatë”, tha Rama.
Plani i detajuar i masave, Rama tha se do të publikohet të shtunën. Para gazetarëve ai nuk foli për rritje çmimi, por e nënkuptoi se çmimet mund të rishikohen, kur tha se Qeveria do të mbrojë konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël nga rritja e cmimit të energjisë.
Se sa e thellë është kriza dhe sa ndikon në ekonominë e vendit, Rama bëri një krahasim.
“Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në këtë kuptim të gjithë janë të prekur. Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm. Edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin më parë. Ajo që na takon është të mbrojmë konsumatorët tanë”, deklaroi Rama.
Rama u kërkoi qytetarëve që të vendosen në pozicionin e shtëpisë së madhe dhe të kuptojnë, sipas tij, krizën që tha se do të zgjasë sipas parashikimve deri në gjysmën e vitit të ardhshëm. Ai u shpreh se në 8 vite, Qeveria e tij nuk ka rritur çmimin e energjisë, me përjashtim të një rasti.
Kryeministri tha se çmimi aktual i shitjes së energjisë për konsumatorët nuk mbulon koston e blerjes.
“E vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në vendin tonë i takon 2015, edhe aty jo vetëm që çmimi u vendos në një pikë që nuk e mbulon koston”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje