Politike

Rama shpërfill akuzat e opozitës dhe njofton nisjen e një konsultimi të madh kombëtar

Kryeministri Edi Rama shpërfill akuzat e përforcuara të Partisë Demokratike pas skandalit të publikimit të të dhënave të ndjeshme të qytetarëve, përfshirë këtu edhe rrogat, ndërsa pjesa e PD rreshtuar me Lulzim Bashën e akuzon për afera korruptive me incineratorët dhe pjesa e rreshtuar me Berishën për Ballkanin e Hapur dhe afrimin me Aleksandër Vuçiç.

“S’kam ndërmend të merrem as me kufomat gratanongrata, as me dordolecët e papagallët grata e vinci (gërvisht e fito) që kanë hyrë në një vorbull marrëzie qesharake bravash, dyersh, kanalesh e portalesh, kinse po duan kush e kush të luftojë më fort regjimin, korrupsionin, vuqiqin!”, thotë Rama.

Rama nxit drejtësinë që të hetojë, ndërsa thotë se revolucioni digjital do të reduktojë ndjeshëm korrupsionin.

“Jam i inkurajuar që drejtësia e re po jep sinjale të qarta pa dallim ngjyrash, ekonomia po vijon ringjitjen pas pandemisë, sporteleve po u vjen fundi bashkë me vitin në ikje dhe më e mira është e gjitha përpara, duan s’duan humbësit fitimtarë të kuvendeve demokratike e mediatike!”, shkruan ai.

Në fund, Rama njofton një vendim që do të merret nga qeveria ditën e enjte.

“Vendosim në qeveri Konsultimin e madh Kombëtar me shqiptarët për vendime të rëndësishme të vitit që po vjen dhe le ta dëgjojmë sa më shumë njëri-tjetrin,jashtë llogoreve të ngushta partiake e llogjeve të mëdha provinciale!Ata s’kanë ç’humbin më ne s’kemi kohë për të humbur!”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë