Në dy takime me punonjës dhe përfaqësues të biznesit, Kryeministri Edi Rama shpjegoi se pse nuk mund të ulë dhe heqë asnjë taksë nga nafta përmes dy shtyllave të paketës së rezistencës sociale.
Shtylla e parë lidhet me faturën e energjisë elektrike. Rama thotë se nëse do të heqë taksa nga nafta, atëherë duhet të rrisë çmimin e energjisë, pasi me çmimet e energjisë në tregjet globale, sot Qeveria mbulon 80 për qind të faturës për familjet dhe bizneset e vogla.
“Gjëja që ne kemi quajtur më të rëndësishmen, më jetiken, për të mbajtur kohezionin social, për të mos lejuar që kategoritë më të prekura, më të prekshme apo të gjitha kategoritë e atyre që punojnë dhe nuk merren me llafe, të goditen, është energjia. Një KËh në shtëpinë tuaj të paguhet 9.5 lek e të vijë 61 lek. 61 lek të jetë vlera e KËh dhe ju të paguani 9.5 lekë siç keni paguar edhe përpara krizës. Prandaj në paketën e djeshme ne kemi futur edhe 20 miliard tjetër të reja, që janë 200 milionë dollarë, që nuk janë 200 milionë dollarë për shpenzime të tjera, por vetëm për të paguar pjesën më të madhe të faturës për 726 mijë familje rezidente në Shqipëri dhe për 95 mijë biznese të vogla”, tha ai.
Shtylla e dytë lidhet me paratë që qeveria do të ndajë për tre muaj për pensionistët dhe shtresat e tjera në nevojë të shoqërisë.
“Do të përfitojnë nga mbështetja, gjysmë milioni njerëz që do të marrin për 3 muajt e ardhshëm, 30 mijë lekëshin që kompenson rritjen e çmimeve. Rritja e çmimeve të shportës gjithmonë flasim është e përllogaritur në bazë të çmimeve të mëparshme dhe në bazë të konsumit, gjë që bëhet nga Instituti i Statistikave dhe përllogaritja e Institutit të Statistikave për këtë rritje është 7 për qind, që i bie në një mesatare 25 mijë lekë të vjetra i shtohen familjeve për çmimin e shportës, që nuk është pak, po të kemi parasysh që janë mallrat e shportës, nuk është pak për familje që nuk janë me të ardhura të larta dhe ne prandaj do të shtojmë jo 25 mijë por 30 mijë lekë, direkt, në dorë”, shtoi ai.
Pjesa më e madhe e atyre që përfitojnë nga këto pagesa janë pensionistë, mbi 400 mijë e tyre.
“Pastaj kemi të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, pastaj kemi të gjithë kategoritë e invalidëve, të paraplegjikëve, të tetraplegjikëve, të të verbërve, kështu kalojmë gjysmë milioni njerëz. Këtë bëjmë ne dhe këtë duhet të bëjmë ne”, shtoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje