Politike

Rama: S’ka marrëveshje për Detin, shtrirja me 12 milje s’është e mundur fizikisht

Nga Vlora, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka ende një marrëveshje për Detin me Greqinë. Sipas tij, negociatat për këtë çështje janë ndërprerë qyshse në Greqi erdhi qeveria e re.

“Po të kishte një marrëveshje patjetër që Presidenti do kishte dijeni për të dhe nuk mund të ketë një marrëveshje pa miratimin e presidentit.

Ndërkohë që e përsëris edhe njëherë për ata që duan të dëgjojnë dhe jo për ata që bien në grepat e atyre që bëjnë politike më ‘kap ça të kapësh’ që nuk ka asnjë marrëveshje.

Negociatat me Greqinë janë ndërprerë qysh pas ndryshimit të qeverisë në Greqi dhe me qeverinë greke nuk kemi rifilluar negociatat dhe nuk kemi asnjë marrëveshje për momentin.

Ngatërresa e një deklarate e kryeministrit të Greqisë në Parlament që s’ka lidhje me Shqipërinë, por që ka të bëjë me konceptin e të drejtës për tu shtrirë me 12 milje aty ku e lejon territori, gjë që në zonën mes nesh dhe Greqisë kjo gjë nuk është e mundur fizikisht, është kthyer në një karrem. Është një histori qesharake dhe e turpshme për ata që e ushqejnë. Më shumë nuk di ç’të them. Nuk ka si të bëhet një marrëveshje kur s’ka letra, firma, vula”, tha Rama.

Meqenëse ndodhen të dy në Vlorë, i pyetur nëse është takuar me Presidentin Meta, kreu i qeverisë u përgjigj shkurt:

“Nuk kemi shtrënguar duart se nuk e lejon Covid-i”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë